Autobusët e Kosovës nuk do të lejohen të hyjnë në qendër të Tiranës

Tiranë, 27 prill – Bashkia e Tiranës ka shpallur “non grata”autobusët e Kosovës dhe Greqisë. Të gjithë autobusët që vijnë nga Kosova dhe ata që vijnë nga Greqia nuk do lejohen të mbërrijnë deri në zonën qendër të Tiranës, duke nisur nga java tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Ata do të stacionohen tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, në hyrje të këtij qyteti. Lajmin e bëri me dije kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit autobusët e Kosovës dhe ata të Greqisë nuk do të mund të ndalojnë më në qendër të Tiranës, apo në Bulevardin “Zogu I”.

Gjithsesi, autobusët e linjës Tiranë – Prishtinë, por edhe Tiranë – Pejë, Tiranë – Gjakovë dhe Tiranë – Shkup prej më shumë se 14 vitesh nuk kishin të përcaktuar një stacion qëndrimi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Gjatë këtyre viteve ata janë parkuar në mënyrë “klandestine” në afërsi të hotel “Tirana”, apo mbrapa Muzeut Historik Kombëtar, duke iu nënshtruar gjobave të njëpasnjëshme të policisë bashkiake të Tiranës, apo të policisë së qarkullimit rrugor/koga.net