Avokati i popullit me bashkëpunëtorë në vizitë institucionit homolog në Paris

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari me bashkëpunëtorë, po qëndron në një vizitë treditore në Paris, me ç‘rast është takuar me homologun e tij francez, JacquesToubon dhe kolegë të tij nga “DéfenseurdesDroits” (Mbrojtësi i të Drejtave). Dy homologët nga institucionet respektive në Francë dhe në Kosovë biseduan për mandatin dhe përgjegjësitë që kanë, sfidat me të cilat përballen dhe perspektivat e punës që bëjnë.

Gjatë qëndrimit në Francë, delegacioni nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka pasur rastin të dëgjoj përvojat e kolegëve francezë në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi në sektorin privat dhe në sektorin publik.

“Përvoja franceze kontribuon në zhvillimin e mekanizmit të ankesave për rastet e diskriminimit dhe në zbatimin praktik të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut, ku përfshihen, bashkë me Ligjin për Avokatin e Popullit, edhe Ligji për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligji për barazi gjinore, që kanë hyrë në fuqi në korrik të këtij viti”, thuhet në njoftimin për media të institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës.

Vizita në Francë, siç thekson njoftimi, është po ashtu e përqendruar në aspektin e promovimit të barazisë dhe qasjes në të drejta, marrëdhënieve me Parlamentin, marrëdhënieve me institucionet dhe partnerët tjerë, si dhe në komunikimin, promovimin dhe trajnimet.

Gjatë ditës së sotme, Avokati i Popullit me bashkëpunëtorët e tij, do të takojnë edhe Anne-Sophie Bonnet, kreu i Kontrollorit të Përgjithshëm të vendeve të privimit nga liria (ContrôleurGénéraldeslieux de privation de liberté) dhe kolegë të saj, me ç’rast këmbimi i përvojave do të fokusohet në aspekte të mandatit, organizimit dhe funksionimit të Mekanizmit për parandalimin e torturës, i cili, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Avokatin e Popullit do të funksionojë si mekanizëm i veçantë në kuadër të IAP-së. Po ashtu, një pjesë e agjendës së kësaj vizite vuri theksin në dialogun me institucionet publike, shoqërinë civile, mediat dhe zbatimin e rekomandimeve.

Vizita në Francë është organizuar dhe financuar nga TAIEX/ Komisioni Evropian dhe Ambasada e Francës në Kosovë. /KOHA