Azem Syla pritet të dorëzohet tek policia në kufi

Policia e EULEX-it nuk arriti ta arrestojë sot Azem Sylën, edhe pse atë është duke e kërkuar që nga orët e hershme të mëngjesit bashkë me Policinë e Kosovës. Aksioni në kërkim të tij u zhvillua në Prishtinë dhe në shtëpinë e tij familjare në Kishnarekë të Drenasit.

Mirëpo, burime të Express kanë treguar se ai tani është duke u kthyer në Kosovë dhe se policisë do t’i dorëzohet në kufi. Azem Syla, sipas burimeve të Gazetës Express, pritet te dorëzohet se shpejti pasi tashmë është duke u kthyer në Kosovë.

Mediat kanë raportuar se Azem Syla për herë të fundit i është lajmëruar policisë në telefon nga Durrësi. Azem Syla dyshohet për tri vepra të rënda penale: Krim të organizuar, pastrim parash dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në aksionin e gjerë të Policisë së EULEX-it e cila ishte e asistuar nga forcat speciale të Policisë së Kosovës janë bastisur mbi 40 lokacione në tërë Kosovë, derisa deri me tash janë arrestuar disa persona./gazetaknn/