Babai i ushtarit mysliman i ka dy fjalë për Donald Trump

Humayun S.M. Khan ishte një i diplomuar në Universitetin e Virxhinias – me plane për të vazhduar shkollimin për Drejtësi – kur ai vendosi të bëhej pjesë e ushtrisë amerikane. Khan u ngrit në gradën e kapitenit, së fundmi duke udhëhequr një kompani këmbësorie në Irak, ku ai u vra kur një sulmues vetëvrasës sulmoi njësinë e tij.

Khan ishte një nga 14 myslimanët amerikanë që vdiqën duke shërbyer për Shtetet e Bashkuara në dhjetë vitet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, transmeton Telegrafi. Familja e tij erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Khan kishte lindur.

Menjëherë pasi Donald Trump bëri thirrje për një ndalim të familjeve si Khan që të vijnë në SHBA, babai i tij flet rreth komenteve të kandidatit republikan dhe kujton djalin e tij.
“Myslimanët janë amerikanë, myslimanët janë qytetarë, myslimanët marrin pjesë në ndërtimin e mirëqenies së këtij vendi”, thotë Khizr Kahn, i cili u transferua në SHBA në fund të viteve 1970, pasi ishte rritur në Pakistan.

“Ne jemi qytetarë krenarë amerikanë. Është vlera [e këtij vendi]që na solli këtu, jo feja jonë. Qëndrimi i Trump mbi këto çështje nuk përfaqëson këto vlera”, vlerëson ai.
Kapiteni Khan u vra në veri të Bagdadit më 8 qershor, 2004. Një makinë iu afrua portave të bazës ku ai ishte i ngarkuar ta mbronte.
“Një ushtar nën komandën e Khan ishte përgatitur për të inspektuar makinën”, tregon babai.
“Kapiteni Khan kishte kërkuar nga ushtari që ta kontrollonte makinën dhe ishte nisur edhe vetë drejt saj. Brenda në makinë ishin dy kamikazë dhe një sasi e madhe eksplozivi. Pasi makina arriti te porta, bomba u aktivizua, duke vrarë Khan dhe duke plagosur 10 ushtarë amerikanë”.

Babai i tij beson se shumë më shumë njerëz të tjerë do të ishin vrarë nëse Khan nuk do të bënte “paralajmërimin”.

Khan, pas vdekjes u nderua me “Bronze Star” dhe “Purple Heart”, dy nga nderimet më të larta ushtarake, transmeton Telegrafi.
“Ne ende pyesim veten se çfarë e bëri atë të marrë këto 10 hapa [drejt makinës]”, ka thënë babai i Khan.

“Ndoshta kjo është pika ku të gjitha vlerat, shërbimi për vendin, të gjitha gjërat që ai ka mësuar në këtë vend – u bënë bashkë. Këto ishin vlerat që e bënë atë të marrë këto 10 hapa”, ka shtuar ai.

Kur u pyet në lidhje me gjakderdhjen e fundit në San Bernardino dhe sulmet e tjera, si masakra e vitit 2009 në Fort Hood, ku Nidal Hasan, një veteran, kishte vrarë 13 persona në emër të islamit radikal, Khan kujton një bisedë me djalin tjetër të tij.
Shaharyar Khan, vëllai i të ndjerit Humayun, i kishte thënë babait të tij se komunitetet myslimane ndajnë përgjegjësinë për çrrënjosjen e ekstremizmit.

“Kjo është koha për ne myslimanët amerikanë që të distancohemi nga tradhtarët që gjenden mes nesh. Kjo është koha kur myslimanët duhet të qëndrojnë të patundur kundër terroristëve”, citon plaku Khan.

“Mes nesh fshihen armiqtë e vlerave të këtij vendi. Dhe ne duhet ti mbrojmë ato”.
E si “përgjigje” ndaj deklarimeve të Trump, transmeton Telegrafi, Khan thotë se ai ende beson se retorika ndezëse e kandidatit republikan kundër myslimanëve nuk përfaqëson vlerat e Shteteve të Bashkuara.

“Mbaj mend kur familja ime erdhi këtu dhe vendi i parë që shkuam ishte Jefferson Memorial”, tha ai.

“Idealet e Jefferson” janë vlerat që kemi vlerësuar ne si një familje dhe si amerikanë”.
“Ky vend nuk është i fortë për shkak të fuqisë së saj ekonomike, apo fuqisë ushtarake. Ky vend është i fortë për shkak të vlerave të saj, dhe gjatë këtij sezoni politik, të gjithë duhet ta kenë këtë ndër mend”.