Bajrami në Pejë: Universitetet e forta krijojnë shtet të fortë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 4 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka“ në Pejë, në të cilën ishin të pranishëm edhe rektorët e universiteteve publike, profesorë dhe studentë të këtij institucioni.

Me këtë rast, Bajrami rikujtoi kohën e themelimit të universitetit publik në Pejë.

“Themelimi i Universitetit “Haxhi Zeka“, ka qenë një ngjarje e madhe jo vetëm për qytetarët e Pejës dhe komunave përreth, por edhe për Kosovën, sepse Peja ka pasur traditë të gjatë akademike, ndërsa 4 vite punë të këtij universiteti, rrita dhe sukseset e tij, kanë arsyetuar më së miri vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e këtij universitetit”.

Duke folur për sukseset e Universitetit, ministri Bajrami tha se ka ardhur koha që arsimi lartë sidomos universitetet, të bëhen promotorë të zhvillimit ekonomik, të progresit e të demokratizimit të shoqërisë sonë, duke krijuar gjenerata te reja të përgatitura me kompetenca e shkathtësi, që nesër do të ndihmojnë shtetin tonë në arritjen e standardeve evropiane.

Bajrami përmendi edhe faktin se tashmë Ligji Për Arsimin e Lartë është në procedurë të miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe tha se përmes këtij ligji synojmë standarde të larta të cilësisë, rend dhe kulturë akademike. Ndërsa, ai theksoi se edhe Deklarata e Bolonjës promovon parimin e autonomisë së universiteteve.

Ministri i Arsimit porositi edhe studentët që të jenë kërkues për cilësi.

“Të gjithë ne së bashku po punojmë që të jemi pjesë e Bolonjës dhe besoj se këtë do ta arrijmë. Universitetet e forta dhe cilësore krijojnë familje dhe shtet të fortë”, ka thënë Bajrami.