BALLKANI KA NEVOJË PËR BE-NË, POR EDHE BE-JA PËR BALLKANIN

Rama tha se nuk ka asnjë informacion që Shqipëria të jetë më e kërcënuar se vendet e tjera nga terrorizmi.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha sot në konferencë për shtyp pas takimit me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tust, se Shqipëria është e vendosur në qëndrimin për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar dhe aleancës kundër të keqes.

Rama tha se nuk ka asnjë informacion që Shqipëria të jetë më e kërcënuar se vendet e tjera nga terrorizmi.

“Kemi diskutuar edhe për kasaphanën e Parisit, një akt lufte e barbarie që bashkësia e terroristëve i shpalli mbarë botës. Në 13 nëntor, terrorizmi islamik e uli shënjestrën nga lartësia e monumenteve-simbole në lartësinë e njerëzve të zakonshëm. Askush nuk është i sigurt. Ky është mesazhi që na përcollën ata dhe kjo është sfida jonë, si pjesë e familjes evropiane dhe euroatlantike. Shqipëria jonë është e vogël, por e vendosur në qëndrimin e saj për të qenë pjesë e një shoqërie demokratike. Kjo monstër kërkon të na kallë datën e të na detyrojë të mos jemi ata që jemi, të na detyrojë të tërhiqemi mbrapa nga ankthi i mbijetesës dhe jo të ecim përpara. Kërkon të na strukë pas perçes dhe rrobave të zeza të frikës”, ka thënë Rama, duke shtuar se ajo që ka ndodhur në Francë nuk duhet lënë të prekë njeriun brenda tyre dhe se nuk ka vend për panik e frikë, transmeton shekulli.

Rama tha se folën edhe për krizën e emigrantëve, ku potencoi se çdo krizë është edhe një mundësi e re.

“Sot më shumë se asnjëherë është e qartë se jo vetëm Ballkani ka nevojë për BE, por edhe BE ka nevojë për Ballkanin”, shtoi Rama.

Nga ana e tij, presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk e konsideroi Shqipërinë si një partner të besueshëm për Bashkimin Europian dhe, pasi foli fillimisht për sulmet e Parisit dhe klimën pas tyre, nuk ka harruar të thotë diçka edhe për politikën e vendit tonë.

“Kemi rënë dakord me kryeministrin Rama për rëndësinë e mbështetjes ndërpartiake për të përfunduar sa më shpejt reformat e rëndësishme, që do t’i hapin rrugën Shqipërisë drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit për në BE”, tha polaku Tusk.