Basha: Kosovë – Shqipëri, ndeshje e paharrueshme

Migjen Basha e ka cilësuar ndeshjen ndaj Kosovës si shumë të rëndë- sishme dhe diçka që nuk do të harrohet kurrë.

Kosova do të luajë me Shqipërinë të premten dhe është një “vëllazërore” e shumëpritur nga të gjithë shqiptarët. Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Migjen Basha, ka thënë se kjo është një ndeshje mes vëllezërve dhe shpreson që të krijohet një atmosferë e jashtëzakonshme, pavarësisht se kush fiton.

“Kur pret një ndeshje të tillë patjetër që ndien emocione. Bëhet fjalë për ato pozitive, sepse do të jetë një ndeshje mes vëllezërve dhe besoj që do të ketë një atmosferë të mirë”, shprehet fillimisht futbollisti i Luzernës për “Gazeta Ekspres”. Më tej, lojtari tregon edhe pëlqimin e tij personal për këtë takim. “Jam shumë i kënaqur që mund të jem pjesë e kësaj ndeshjeje, sepse kjo është një gjë që nuk harrohet tërë jetën. Ajo që shpresoj më së shumti është që të kalojmë sa më mirë së bashku”, ka deklaruar Basha.

Megjithatë, në këtë sfidë mund të thuhet që do të ketë edhe “ish”-ë. Një i tillë është Sajmir Ujkani, i cili aktualisht është portieri i Kosovës dhe që më parë ka mbrojtur atë të Kombëtares shqiptare. Ujkani dhe Basha kanë qenë dhe mbeten miq të ngushtë mes tyre dhe në fjalën e tij përpara kësaj ndeshjeje, mesfushori nuk mund të mos kishte edhe një batutë për portierin, e thënë në dialektin e zonës së Suharekës. “Uroj të ushqehet mirë me fasule që të mos jetë në gjendje të bëjë pritje gjatë ndeshjes (qesh…)”, ka përfunduar fjalën e tij futbollisti i Luzernës në lidhje me ndeshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë./Panorama/