BBC: Të paktën 153 të vrarë, thonë zyrtarët francezë (VIDEO)

Numri i viktimave po vazhdon të rritet pas sulmit terrorist në Paris me ç’rast kanë mbetur të vdekur të paktën 153 persona. Këto të dhëna i janë dhënë BBC’së nga autoritetet franceze.“Të paktën 153 persona u vranë në Paris dhe Saint Denis pas të shtënave dhe shpërthimeve”, kanë thënë zyrtarët francezë për BBC.

Një dëshmitar i ka treguar Radio France se sulmuesit brenda sallës së koncerteve Bataclan kishte hyrë me pushkë dhe kishte thirrur “Allahu Ekber”.Tmerri i vërtetë ndodhi në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Forcat e policisë bastisën sallën, duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.

Fillimisht u raportua për të shtëna brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Policia franceze njoftoi se ka vënë në pranga 4 ekstremistë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmet e së premtes.

Restoranti ku ndodhi sulmi i parë është shumë pranë vendit ku ndodhën të shtënat e “Charlie Hebdo” në janar të këtij viti. Një person brenda teatrit tha për një radio franceze se terroristët kishin bërtitur “Allah Akbar” përpara se të hapnin zjarr. Dëshmitarët thanë se pengmarrësit ishin të veshur jelekë antiplumb, ndërsa nuk ishin të maskuar. Sipas dëshmitarëve, ata qëlluan me kallashnikovë AK47, si dhe hodhën edhe granata. Sulmi në sallën e koncerteve ka zgjatur më shumë se 15 minuta.

Nga raportimet e fundit thuhet se edhe Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore France-Gjermani, është larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij. Pas qetësimit të situatës jashtë stadiumit, ata u lanë të dilnin jashtë tij.

Dëshmitarët pranë stadiumit kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.