BE: Nisma e kryeministrit të shfrytëzohet si mundësi për rivendosjen e dialogut

Bashkimi Evropian i ka dhënë mbështetje nismës së kryeministrit Isa Mustafa për t’i bërë ekspertizë caktimit të vijës kufitare midis Kosovës e Malit të Zi para një përbërjeje ekspertësh ndërkombëtarë, shkruan sot Koha Ditore.

Por, të njëjtën kohë Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka kërkuar që kjo iniciativë të shërbejë si mundësi për kthimin e debatit politik, në veçanti kthimin e normalitetit në Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësja e BE-së, Dinka Zivalj, ka thënë për “Kohën Ditore” se mirëpresin çdo përpjekje që çon në zgjidhjen e situatës aktuale.

“Ne mirëpresim çdo nismë që synon zgjidhjen e problemeve aktuale përmes dialogut politik, duke përfshirë edhe nismën e Kryeministrit për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mal i Zi”, ka thënë Zivalj. “Ne shpresojmë se kjo do të çojë në rikthimin e dialogut politik në përgjithësi dhe në punën e Kuvendit në veçanti”.

Kryeministri Mustafa një ditë më parë ka thënë t’ia ketë përcjellë një shkresë BE-së, dhe një tjetër do t’ia adresojë SHBA-së nëpërmjet të cilave kërkon ekspertizë të caktimit të vijës kufitare midis Kosovës e Malit të Zi, ku do të përballeshin argumentet e ekspertëve ndërkombëtarë me ato të komisionit qeveritar.