Fillimisht, të enjten një ekses i madh u regjistrua në Ligën e Dytë në ndeshjen e zhvilluar në Hogosht ndërmjet Kikës dhe Lepencit (1:1). Klubi nga Kaçaniku u ankua se në Hogosht nuk pati vetëm futboll, por pati shumë tensione, sulme ndaj lojtarëve të tyre, presione mbi ta dhe mbi gjyqtarë.
Ndërsa, në disa video të shpërndara në internet shihet një numër i madh i shikuesve që kishin hyrë në fushë, kurse Policia dhe futbollistët e Kikës po mundoheshin t’i mbronin lojtarët mysafirë, raporton Zëri.
Pamje nga ndeshja Kika – Lepenci
Kurse, në një video tjetër shihen disa persona që i kishin dalë në pritë minibusit të Lepencit, me ç’rast sulmojnë atë me gurë dhe rrezikohen shumë seriozisht futbollistët mysafirë, por edhe aty ndërhyn Policia.
Në anën tjetër, Kika ka shprehur keqardhje për eksesin dhe e ka dënuar sulmin ndaj minibusit të Lepencit. Por, ekipi nga Hogoshti thotë se Lepenci kishte udhëtuar me qëllim të vetëm që t’i marrë tri pikë, për çka edhe kishte provokuar me qëllim që të ndërpritej ndeshja dhe të fitonte në tavolinë.
Ndërkohë, Zëri shkruan se në fundjavë ekses pati edhe në Ligën e Parë në ndeshjen Rahoveci – Vëllaznimi (2:1), e cila edhe ishte ndërprerë përkohësisht. Gjakovarët thonë se kryesia e Rahovecit i priti mirë, por u sulmuan fizikisht nga tifozët.
Pamje pas ndeshjes Rahoveci – Vëllaznimi
Vëllaznimi është ankuar se portieri i tij është grushtuar prapa shpine, siç është sulmuar edhe mjeku i tij. Gjakovarët janë ankuar se edhe pas ndeshjes është sulmuar autobusi i tyre, kurse kanë rrëfyer kërcënime, presione dhe thonë se në këto kushte gjyqtarit i doli nga kontrolli loja dhe i dëmtoi rëndë. Sipas tyre, Policia i ka shpëtuar nga më e keqja.
Me këtë video, Vëllaznimi kërkon drejtësi në Federatën e Futbollit të Kosovës
Përkundër këtyre rasteve, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) thotë se i ka nën kontroll edhe Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë.
“Ne i kemi nën kontroll të gjitha ligat. Madje, kemi dërguar edhe kontrollorë dhe supervëzhgues në ndeshjet që i konsiderojmë si më të rëndësishme në Ligën e Parë dhe të Dytë. Prandaj, ata që shkaktojnë probleme dhe incidente, ndaj tyre do të ndërmerren masat më të rënda”, ka deklaruar FFK-ja, duke bërë thirrje për qetësi në të gjitha ligat, pasi incidentet e tilla mund t’i prishin punë në fazën finale të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA.
“Më e keqja është se ekipi sulmohet ose gjyqtarët nuk janë në nivel, por në protokoll shkruan se çdo gjë ishte në rregull. Prandaj, komisionet përgjegjëse po e kanë edhe të vështirë të marrin vendime kur në protokoll nuk shkruan se kishte probleme. Prandaj, kërkojmë nga të gjithë që ta kryejnë punën si duhet”, theksoi shtëpia e futbollit. /Zëri/.