Beqiri: LDK s’e voton demarkacionin me Malin e Zi nëse vërtetohet humbja e territorit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, e quajti të suksesshëm vitin e parë të qeverisjes së Isa Mustafës, në raport me kushtet e tij të punës.

Beqiri, në një prononcim për Rrokum TV, thotë se LDK-ja ka marrëveshje me PDK-në për ta votuar Hashim Thaçin për President, e nëse kjo nuk bëhet, atëherë koalicioni prishet.

Sipas tij, disa deputetë të LDK-së janë ngutë duke thënë se s’do ta votojnë Thaçin për President.

Mirëpo për Beqirin, marrëveshja me PDK-në nuk është e njëjtën me atë që LDK-ja kishte me 3 partitë e opozitës. Ai thotë se marrëveshja u prish për shkak të vendimit të Kushtetueses.

E koalicionin me PDK-në, Beqiri e arsyeton me faktin se LDK-ja, si partia e dytë, nuk kishte si të qëndronte pa asnjë post.

Ndërkaq, për sa i përket efektit që mund të ketë ky koalicion te votuesit e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, Beqiri thotë se ata duhet t’i përkrahin vendimet e strukturave të partisë.

Sipas tij, protestat e shumta të këtij viti u bënë “për inat të kryeministrit”.

Ai thotë se LDK-ja nuk e voton demarkacionin me Malin e Zi nëse vërtetohet humbja e territorit.

Beqiri foli edhe për zgjedhjen e anëtares së re të Kushtetueses, dikur kandidate për deputete të LDK-së, derisa opozitës i thotë se edhe Mazllum Baraliu ka qenë kandidat i VV-së.