Berisha: Sali Çekaj është pasqyrim i gjeneratave të rëna për liri

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës është mbajtur ceremonia përkujtimore për rënien e komandantit të UÇK-së , Sali Çekaj.

Për ta kujtuar veprën e Çekajt  në fjalën e tij në ceremoni, Rrustem Berisha ish- komandant i UÇK-së e lartësoi veprën e dëshmorit

“Përmes figurës së Sali Çekaj kujtojmë gjithë plejadën e dëshmorëve për çlirimin e Kosovës. Sali Çekaj thoshte: “Ne jemi komb i vogël, prandaj duhet të bashkohemi, ne nuk guxojmë asesi që të ndahemi,” tha Berisha, njofton Klan Kosova.

Berisha figurën e Çekajt e cilësoi si pasqyrim të shumë gjeneratave të rëna për çlirim.

“Ai është pasqyrim i të gjitha gjeneratave që nga konferenca e Bujanit 1945 deri tek vitet e 90-ta. Kjo pasqyrë e luftëtarit me pushkë e me laps bartet. Ai ishte në rrënjët e UCK-së  së bashku me Zahir Pajazitin e Adem Jasharin.”

“Ai ishte burrë i urtë me traditë shtetformuese,”  përfundoi ish epror i UÇK-së , tash deputet i Kuvendit të Kosovës.