BIK, letër ngushëllimi me rastin e vdekjes së Rrok Mirditës

Me rastin e kalimin në amshim të Rrok Mirditës-Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Tiranë – Durrës, Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës ngushëllon Kishën Katolike të Shqipërisë, mesharët dhe gjithë besimtarët katolikë, për humbjen e prijësit të devotshëm e të përkushtuar ndaj fesë, popullit e atdheut.

“Arqipeshkivi Rrok Mirdita ka qenë një njeri i përkushtuar, i urtë dhe i devotshëm, që ka kontribuar në fisnikërimin e popullatës, kultivimit e dashurisë, respektit, tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar e ndërnjerzor”, thuhet në ngushëllimin e BIK-ut.

Po sipas BIK-ut, populli ynë gjithherë ka dhënë njerëz të urtë, vizionarë, të dituar e të devotshëm – i tillë ka qenë edhe Arqipeshkvi Rrok Mirdita.

“Kisha dhe besimtarët katolikë kanë humbur prijësin e tyre të dashur e të respektuar; komunitetet tjera fetare humben një bashkëpunëtor, një mik e një bashkudhëtar të paçmuar; ndërsa populli shqiptar humbi një bir të urtë e të devotshëm. Prandaj dhimbja është e përbashkët për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë. Të gjithëve, edhe njëherë, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta!”, thuhet në fund të ngushëllimit të BIK-ut. /Telegraf