Bunjaku-Rexhepi: Ibrahim Uruqi me trimërinë e tij, ka lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare

Komuna e Gjilanit ka shënuar sot 17-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Ibrahim Uruqi dhe njëkohësisht ditën e shkollës së fshatit Bresalc.

Fillimisht, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi së bashku me këshilltarët komunalë ka bërë homazhe para lapidarit të dëshmorit, e më pas është shënuar dita e shkollës së Bresalcit, e cila e mban emrin e këtij kolosi.

Në emër të kryetarit Haziri, të pranishmit i ka përshëndetur kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila theksoi se dita e shkollës së Bresalcit është njëra nga ngjarjet më të shënuara në kujtesën  e kombit, duke shtuar se është ditë kur shënohet themelimi i këtij tempulli të diturisë me emrin e dëshmorit Ibrahim Uruqi.

“Bashkë me emrin e shkollës “Ibrahim Uruqi”, kujtojmë edhe sakrificën kombëtare për mbajtjen e shkollës dhe djersën e dhënë nga populli, sikurse edhe mundin dhe gjakun për të ardhur deri te kjo ditë për të festuar. Prandaj, nderi deri në përjetësi ju takon të gjithë atyre brezave që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Bunjaku Rexhepi.

Ajo tha se shkolla dhe fshati i Ibrahim Uruqit, gjatë këtij viti do të ketë fatin t’i gëzohet një varg projektesh nga ana e Komunës së Gjilanit, që kanë të bëjnë me infrastrukturën shkollore dhe fshatit në përgjithësi.

Një fjalë rasti pati edhe kryetari i OVL të UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku, theksoi se ndihen krenar që përkujtohet ditëlindja e bashkëluftëtarit dhe dëshmorit, Ibrahim Uruqi.

Drejtori i shkollës, Gafurr Syla, pasi falënderoi të pranishmit për prezencën, tha se kjo e nderon edhe familjen, por edhe shkollën me emrin “Ibrahim Uruqi”.

Në fund, shënimi i kësaj ngjarje është përmbyllë me një program të pasur kulturoro-artistik nga nxënësit e shkollës fillore “Ibrahim Uruqi” të fshatit Bresalc.