Çelaj: Shpend Ahmeti është i rrethuar nga njerëz klientelistë

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në kryeqytet, Lirak Çelaj, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është një kryetar jofunksional dhe i rrethuar nga njerëz kilentelistë.

Çelaj tha se Ahmeti nuk ka kurrfarë vizioni për zhvillim.

“Vetura e Isa Mustafës, qysh në mbledhjen e parë ja kemi votuar për ta shitur ende nuk ka mundur ta shes, çfarë mund të presim më shumë prej tij?”.

“Nuk ka ndonjë vizion për zhvillim, ka drejtori që ka 0 cent shpenzime. Në investime kapitale ka shpenzuar vetëm 34 %, ne nuk ia kemi ndaluar asnjë investim, por ai po shpif”.

“Unë besoj që prapë Shpendit ka njerëz klientelist. Ai nuk ka pasur guxim ta shkarkojë një drejtor si Liburn Aliu, sepse ai ka pozicion të fuqishëm edhe në partinë e tij”, tha Çelaj.

Kurse duke folur rreth përafrimeve të tij me pjesën tjetër të opozitës në komunën e Prishtinës, Çelaj tha se ato janë thjeshtë qëndrime profesionale.

“Bashkërendimet me Sami Hamitin janë në kuadër të bashkëpunimin institucional e jo personal. Është e vërtetë që dega e PDK-së në Prishtinë në mënyrë masive e kanë përkrahur Shpendin, dhe unë mendoj që është dashur ta ndihmojmë për ndryshimin. Mendoj që është bërë mirë që ka ndodhur një ndryshim, qoftë ky edhe freskim për të keq. Ndryshimet në qeverisje janë të mira. LDK-ja tashmë nuk e shohin Prishtinën si diçka të sigurt”.

Ndërsa rreth bashkëpunimit me kryetarin Ahmeti, Çelaj tha se “oferta e Shpendit ka qenë jo serioze për bashkëpunim, si poste të ulëta në borde dhe assesi nuk pranonte krijim të koalicionit”.

“Të gjitha ato marrëveshje që ishin për dinamizim të punëve në Komunë, u ndalen gjatë kohës së VLAN-it, sepse ata menduan se do të bëhet koalicioni dhe do të bashkëpunonin me LDK-në”.

Çelaj tha se në arrestimin e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, nuk kishte kurrfarë ndërhyrje të politikës.

Sipas Çelajt gjykatat në Kosovë janë absolutisht të pandikuara nga ndërhyrjet politike.

“Nuk ka as një ndërhyrje më të voglën në rastin e arrestimin të deputetes Donika Kadaj-Bujupi”.

“Nuk ekziston asnjë ndikim në gjykatat nga ministria e Drejtësisë”, pohoi zëvendësministri.