Prej mesit të vitit 2012, kur edhe kishte shpërthyer me të madhe konflikti i armatosur civil mes mbështetësve të regjimit të Bashar Al Assadit dhe opozitës në Siri, mbi 300 persona nga Kosova dyshohet se kanë udhëtuar drejt Lindjes së Mesme dhe i janë bashkuar konflikteve të armatosura që janë zhvilluar dhe akoma vazhdojnë atje. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e këtyre personave më vonë i janë bashkuar dy organizatave terroriste, pasuse të konfliktit civil, “Al Nusra” dhe “ISIS”. Këto shifra janë përmendur edhe në konferencën e sotme për media të Policisë së Kosovës ku është folur edhe për mundësinë e kthimit të terroristit Lavdrim Muhaxheri në Kosovë.
Kosovari i parë, që është regjistruar nga autoritet vendore, se ka udhëtuar në Siri për t’iu bashkuar luftërave cilivile që janë zhvilluar atje gjatë dekadës së fundit, ka qenë në mesin e vitit 2012. Atë kohë Siria përballej me fundin e një regjimi të gjatë të Bashar Al Assadit i cili po luftohej nga civilë të armatosur që mbështetnin opozitën siriane. Pas tij, pati edhe qindra kosovarë të tjerë që morën të njëjtën rrugë.
Me daljen në skenë të dy organizatave terroriste, po në Siri e për t’u përhapur edhe në Irak, “Al Nusra” dhe “ISIS”, shumica e këtyre kosovarëve përfunduan në radhët e tyre. ISIS’i ka qenë më shumë ‘magnet’ i kosovarëve dhe në përgjithësi shqiptarëve nga të gjitha vendet e Ballkanit, duke arritur të rreshtojë përkrahë pjesën më të madhe të atyre që morën rrugën nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Bujanovci për në Siri apo Irak.
Deri më sot, të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës flasin për rreth 300 kosovarë që ndodhen në zonat e konfliktit atje. Dhe mbi 800 llogaritet të jetë totali i shqiptarëve që iu janë bashkuar këtyre organizatave terroriste.
Sipas policisë së Kosovës në mesin e këtyre 300 kosovarëve, përveç luftëtarëve ka edhe gra dhe fëmijë që janë bashkuar ndërkohë.
“Nder vite llogaritet se afër 300 pjesëtarë nga Kosova që kanë udhëtuar dhe janë luftëtar në Siri dhe Irak. Në mesin e tyre ka edhe gra dhe fëmijë. Për momentin rreth 80 llogaritet që janë ende prezent atje”, ka treguar Luan Keka i Drejtorisë Anti-Terror të PK’së, të martën në një konferencë për media.
Sipas të njëjtit, shifrat zyrtare flasin se diku 50 prej kosovarëve janë vrarë gjatë luftimeve në dy vendet aziatike, derisa pjesa më e madhe e tyre llogaritën të jenë kthyer apo larguar nga zonat ku zhvillohen hetime.
“Një pjesë e tyre janë përballur me procedura ligjore kur janë kthyer në Kosovë”, ka treguar Keka.
Ai ka folur edhe për mundësinë e kthimit në vend apo rajon të Lavdrim Muhaxherit, i cili konsiderohet si një luftëtar i dalluar i ISIS’it dhe njihet për veprimet makaber të kryera ndaj personave që nuk kanë besuar në ideologjinë e njëjtë me ta. Për kaçanikasin, Keka tha se Polica e Kosovës nuk ka ndonjë informacion konkret se i njëjti mund të jetë kthyer mbrapa nga zonat e luftimeve, por ka siguruar se nëse do të ndodhë diçka e tillë, Muhaxheri do të bie në prangat e policisë.
“Siç jeni të informuar, lidhur me Lavdrim Muhaxherin, Policia e Kosovës ka kryer një hetim së bashku me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe ekziston një flet-arrest ndërkombëtare për të. Po ashtu ekziston edhe një ‘Red Notice’ për të nga Interpool’i. Aty ku haset ai me siguri se do të ndalohet”, u tha Keka mediave.
Numri i personave që hetohen nga Policia e Kosovës në lidhje me veprat që ndërlidhen me terrorizëm ka shkuar në mbi 100. Pjesa më e madhe e tyre edhe janë arrestuar, derisa pjesa tjetër janë në faza të ndryshme të hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Gazeta Express, po ashtu, duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Policisë së Kosovës, ka raportuar se përgjatë gjithë këtyre viteve, organizatave terroriste iu janë edhe rreth 40 gra kosovare. Megjithatë, për këto gra nuk jepet shumë informacione, nëse një pjesë e tyre janë vrarë, kthyer apo sa është numri i atyre që qëndrojnë ende në Siri dhe Irak. Por dyshohet se pjesa me e madhe e këtyre grave që kanë arritur në këto zona konflikti, udhëtojnë së bashku me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Natyrisht se në mesin e tyre ka edhe nga ato që rrugën e kanë nisur të vetme.
Rruga përmes të cilës kosovaret po i bashkohen grupeve “Al Nussra” dhe “ISIS” është përmes Maqedonisë. Nga aty, ata po shkojnë përmes aeroportit të Shkupit në Stamboll, për të përfunduar më pas në cakun për ku janë nisur, Siri apo Irak. /GazetaExpress/