Çollaku: Raporti i fundit, pa viza në 2016

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë se përmbajtja e raportit të Komisionit Evropian është shumë larg prej të qenit diçka për t’u vajtuar, sikurse që po bëjnë disa skeptikë, por që festa është rezervuar për ditën kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza.

“Kjo festë nuk është larg, dhe në çdo rast do të jetë në vitin e ardhshëm”, ka shkruar Çollaku në një editorial të tij.

  1. Raport përfundimtar

“Të premten e javës që lamë pas, Komisioni Evropian publikoi raportin final të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Se ky ishte raporti përfundimtar nuk ishte vetëm deklaratë e ndonjë zyrtari anonim nga Brukseli, por është diçka e shkruar bardh e zi në vet përmbajtjen e këtij raporti. Aty u tha se “duke u bazuar në këtë vlerësim, dhe duke marrë parasysh rezultatin e monitorimit dhe raportimit të bërë që nga lansimi i dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën në Janar të vitit 2012, Komisioni Evropian e konsideron këtë raport si final.”

Procesi i liberalizimit të vizave nuk ka ndonjë numër të paracaktuar të raporteve që duhen bërë. Vendimet për numrin e raporteve merren nga Komisioni Evropian varësisht nga nevojat teknike, por edhe politike. Thjeshtë, ata mund të vendosin të bëjnë raporte e vlerësime kurdo që dëshirojnë dhe deri sa të binden se janë pjekur kushtet që procesi mund të shkojë përpara. Ka dallime të dukshme të numrit dhe frekuencës së raporteve që janë bërë për shtete të ndryshme që kanë kaluar nëpër këtë proces. Sigurisht që këto varen nga performanca në përmbushje të kushteve të BE-së, por edhe nga vullneti politik (vini re ndryshimin e dinamikës në rastin e Ukrainës dhe Turqisë, karshi problemeve me Rusinë dhe krizën e refugjatëve respektivisht).

Raporti i sapo publikuar i Komisioni Evropian nuk ka qenë arsye e mjaftueshme për të festuar, por përmbajtja e këtij raporti është larg prej të qenit diçka për t’u vajtuar. Festën do ta rezervojmë për ditën kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza, dhe kështu – së paku në këtë pikëpamje – të kenë një trajtim të barabartë me fqinjët nga Ballkani Perëndimor. Kjo festë nuk është larg, dhe në çdo rast do të jetë në vitin e ardhshëm”, ka vlerësuar Çollaku.

  1. Raport pozitiv

“Në ditën e publikimit të raportit për Kosovën ai u cilësua si pozitiv nga zyrtarët më të lartë të Komisionit Evropian. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dha një porosi të fuqishme dhe mbështetëse për ne dhe dy vendet tjera që janë duke zhvilluar dialog me BE-në për liberalizim të vizave. Presidenti Junker tha se “Komisioni sot në mëngjes ka marrë pozicion pozitiv mbi liberalizimin e vizave për Gjeorgjinë, Kosovën dhe Ukrainën”. Për më shumë, ai tha se “Komisioni ka qenë në gjendje t’i propozoj liderëve të BE që të ndërmarrin disa veprime të shpejta për liberalizim të vizave për të tre shtetet.” Deklarata të ngjashme mbështetëse erdhën edhe nga Komisioneri për punë të brendshme i BE, Dimitris Avramopoulos i cili gjatë prezantimit të raportit, përveç cilësimit pozitiv, dha edhe sinjal të qartë se rekomandimi mund të pritet shumë shpejt në fillim të vitit të ri. Ngjashëm edhe Komisioneri Johannes Hahn, përgjegjës për zgjerimin, e vlerësoi raportin si pozitiv, duke thënë se është një sinjal i fuqishëm se reformat shpaguhen dhe që ato u kanë sjellë qytetarëve përfitime konkrete.

Paradoksi i ditës ishte se gjersa vendimmarrësit e nivelit më të lartë të Komisionit Evropian, të cilët janë duke e vlerësuar Kosovën se a është e gatshme për liberalizim të vizave,  flisnin për këtë raport si një raport pozitiv, dhe e lavdëronin punën që është bërë, në Kosovë nuk munguan edhe skeptikët që pa ngurruar trumbetuan vlerësimin e tyre të pabazë se ky proces ka dështuar, apo se ka dështime në përmbushje të udhërrëfyesit apo se edhe disa nga udhëheqësit më të lartë të BE-së e paskan gabim”, ka shkruar ministri Çollaku.

  1. Kushtet e plotësuara pjesërisht përmbyllen shpejtë

“Raporti nuk është çfarë do të donim të ishte, dhe kjo jo për shkak të mungesës së përkushtimit apo të rezultateve të të gjitha institucioneve përgjegjëse të Kosovës.  Shumë nga gjërat që janë arritur nuk janë evidentuar – por kjo veçse do ta bëjë punën në vazhdim dhe përmbylljen e këtyre çështjeve fare të lehtë. Ne do të mund t’i dëshmojmë KE-së për atë se si i kemi adresuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit.

Por edhe këtu patëm një mospërputhshmëri mes asaj se si kushtet e fundit të mbetura u prezantuan në Bruksel dhe si ato u pritën në Kosovë. Raporti në asnjë vend nuk e tha që 8 kushte janë të “papërmbushura” por përmendën vetëm 8 nga 95 kërkesa të cilat janë të përmbushura pjesërisht për të cilat patën disa rekomandime shtesë. Por shumë në Kosovë e panë të rrugës t’i cilësojnë si kushte të papërmbushura. Opozita, mediat, komentuesit nuk duhet të manipulojnë në këtë mënyrë duke shpërndarë negativitet dhe konfuzion të panevojshëm. Rruga drejt liberalizimit të vizave nuk bëhet përmes një qasje të tillë destruktive, por mund të ndihmohet nga konstruktiviteti dhe konsensusi.

Nga këto kushte të limituara të përmbushura pjesërisht u dhanë katër rekomandime nga këto fusha që cilësohen të rëndësisë kyçe, ndërsa pjesa tjetër janë vetëm për monitorim. Duke qenë se ne kemi bërë veprime të shumta që nuk janë evidentuar në raport demonstrimi i zbatimit do të bëhet pa vështirësi dhe shumë shpejtë”, ka thënë Çollaku.

Sipas tij, adresimi i këtyre hapave të vegjël të mbetur nuk do të jetë arsye për vonesa për rekomandim dhe KE-ja do të ndërmerr këtë hap sa më shpejtë që të jetë e mundur në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave, dhe tani asgjë nuk mund të ndaloj rrjedhën e këtij procesi përpara./lajmi