COVID-19 rrit shanset për t’u prekur nga diabeti, paralajmërojnë shkencëtarët

Infeksioni nga koronavirusi rrit rrezikun e prekjes nga diabeti i tipit 2, kanë konfirmuar shkencëtarët.

Një lidhje e mundshme ishte vërejtur më herët në pandemi, dhe pas një studimi, studiuesit tani kanë konfirmuar lidhjen, duke thënë se në fakt ishte “një rrezik real” i lidhur me COVID-19, shkruan burimi Euronews përcjell Gazeta Shneta.

Ndër të tjera, ata zbuluan gjithashtu se vaksinimi duket se ul rrezikun e marrjes së diabetit të ri pas infeksionit.

“Rezultatet tona verifikojnë se rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 2 pas një infeksioni COVID-19 nuk ishte vetëm një vëzhgim i hershëm, por, në fakt një rrezik real që për fat të keq ka vazhduar gjatë epokës së variantit Omicron,” tha autori kryesor i studimit Dr Alan. Kwan, një kardiolog në Cedars-Sinai.

Dr. Kwan tha se tendenca është shqetësuese për shkak të asaj se sa njerëz do të përjetojnë përfundimisht një infeksion COVID-19.

Për pacientët e pavaksinuar, rreziku i diabetit të tipit 2 pas ekspozimit ndaj COVID-19 ishte 2.7 për qind më i lartë, ndërsa për pacientët e vaksinuar ky rrezik ra në 1 për qind.

“Këto rezultate sugjerojnë se vaksinimi kundër COVID-19 para infeksionit mund të ofrojë një efekt mbrojtës kundër rrezikut të diabetit,” tha Dr. Kwan.

“Megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar këtë hipotezë, ne mbetemi të palëkundur në besimin tonë se vaksinimi kundër COVID-19 mbetet një mjet i rëndësishëm në mbrojtjen kundër COVID-19 dhe rreziqeve ende të pasigurta që njerëzit mund të përjetojnë gjatë periudhës pas infektimit”.

Dr. Kwan shtoi se: “Ndërsa mësojmë se si të jetojmë me COVID-19, ne gjithashtu duhet të jemi të përgatitur për të njohur dhe trajtuar kushtet e ndryshme që lidhen me efektet e tij të mëvonshme”.

Gjetjet e tyre u publikuan në revistën JAMA Network Open.

Diabeti prish metabolizmin normal dhe proceset metabolike, duke penguar pankreasin të prodhojë mjaftueshëm insulinën, një hormon që ndihmon në rregullimin e niveleve të glukozës dhe aminoacideve në gjak.

Për shkak se diabeti mund të dëmtojë organet vitale dhe enët e gjakut, njerëzit me diabet janë në rrezik më të lartë për sulm në zemër dhe goditje në tru.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka rreth 60 milionë njerëz në Evropë me diabet – rreth 10 për qind e burrave dhe 9.6 për qind e grave të moshës 25 vjeç e sipër. /Gazeta Shneta/

The post COVID-19 rrit shanset për t’u prekur nga diabeti, paralajmërojnë shkencëtarët appeared first on Gazeta Shneta.