Dacic nesër viziton Kosovën

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministër i Jashtëm, Ivica Dacic, nesër do të qëndrojë në Kosovë për të vizituar, siç thuhet në një njoftim të ministrisë së Jashtme serbe, “trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë e Metohi që gjenden nën mbrojtjen e UNESCO’s”.

“Dacic do të vizitojë zonat e trashëgimisë kulturore në territorin e Kosovës dhe Metohisë të cilat janë të regjistruara në Listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO’s – patrikanën Pejës, kishën e Levishës [në Prizren] dhe manastirin e Graçanicës”, thuhet në njoftimin e MPJ’së së Serbisë, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, theksohet se vizitën e tij në Kosovë, Dacic do ta shfrytëzojë edhe për të biseduar me klerikët serbë, ku besohet se edhe do të përçojë mesazhe politike në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.