Davutoglu: Putin kujton se është në kohën e KGB-së

Qeveria turke nuk i merr seriozisht deklaratat e ashpra të Vladimir Putin dhe nuk do t’u përgjigjet me të njëjtin ton atyre.

Kështu ka deklaruar kryeministri turk Ahmet Davutoglu, i cili është shprehur se, Putin kujton se është ende në kohët e KGB-së.

“Por KGB-ja ka marrë fund prej kohësh dhe propaganda në stil sovietik i përket historisë. Në vend që t’i përgjigjem në të njëjtën mënyrë, preferoj të qesh”, ka thënë Davutoglu.

Në konferencën për shtyp të fundvitit, presidenti rus Putin përdori një fjalor të ashpër ndaj qeverisë së Ankarasë, kur tha se, “turqit kanë vendosur t’u lëpihen amerikanëve”.

Ai tha gjithashtu, se nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, të cilës Rusia i ka vendosur sanksione, nën drejtimin e liderëve aktualë të saj.