De Biasi i përgjigjet tranjerit të Kosovës

De Biasi: Nuk po i rrëmbejmë lojtarë Kosovës, ata janë të lirë të zgjedhin

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, në konferencën për mediat para ndeshjes miqësore me Kosovën, tha se kjo ndeshje do të shërbejë që Shqipëria të përgatitet sa më mirë për Euro 2016, ndaj dhe lojtarët do të mundohen të bëjnë një paraqitje sa më të mirë.

De Biasi sqaroi se nuk do ta pengojnë Federatën e Futbollit të Kosovës në rrugën e saj, duke shtuar se lojtarët janë të lirë të zgjedhin se për cilën skuadër do të luajnë: “Dyert e kombëtares janë të hapura për çdo futbollist shqiptar. Kemi marrëdhënie të mira me FFK-në dhe nuk do ta pengojmë në rrugën e saj. Kemi një ekip shumë të mirë dhe Kosova ka fatin e mirë që ka shumë lojtarë të mirë. Në rast se ndonjë futbollist nuk ftohet nga Kosova, atëherë do e ftojmë ne”.

Ndërsa i pyetur nëse një ditë mund ta drejtojë skuadrën kosovare, De Biasi tha se “kurrë nuk duhet thënë kurrë”.

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ripërsëriti qëndrimin e tij se “duhet të kemi një kombëtare” dhe u shpreh optimist se një gjë e tillë mund të ndodhë: “Unë jam i bindur që do të vijë dita kur do ta kemi mundësi edhe të kemi vetëm një kombëtare. Elita e çdo futbollisti shqiptar duhet të përfaqësohet me ngjyrat kuq e zi dhe vazhdoj ta mbaj këtë qëndrim dhe ndihem shumë mirë. Por, në momentin që vendosin se janë dy përfaqësuese, besoj dhe shpresoj që dita e bashkimit do të ndodhë shumë shpejt. Në atë moment jam shumë i bindur që përfaqësuesja bëhet e suksesshme sepse ka shumë lojtarë që po dalin”.