Deçanasit kërkojnë nga Qeveria që 23 hektarët tokë të bëhen të Komunës

Me pankarta në duar “Manastir, prano realitetin”, “Gjykata Kushtetuese shkeli Kushtetutën”, “Manastir hiq dorë nga pronat tona”.., mbi 500 qytetarë të Komunës së Deçanit protestuan të enjten kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të sjellë me 3 dhjetor 2015, më të cilën ka vënë masë të përkohshme çështjes kontestuese për 23 hektarë tokë, për të cilat po “luftojnë” Komuna e Deçanit dhe dy ndërmarrjet publike “Apiko” dhe “Iliria” kundër pretendimeve të Manastirit se janë prona të saj, raporton korrespondenti I kohës Ditore.

Para protestuese vë mbledhur në sheshin e Deçanit “Mentor Tolaj”, nënkryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Deçan, Shkodran Imeraj, tha se me këtë protestë po shprehin hapur kundërshtimin rreth pretendimeve të manastirit për pronat publike dhe private, si dhe vendimit të të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai tha se po dërgojnë sot mesazhe të qarta për personelin e manastirit dhe klerikut Sava Janiq, si dhe institucioneve tona dhe faktorit ndërkombëtar, se çdo vendim që është në kundërshtim me të drejtën kushtetuese është i pa pranueshëm dhe i pa zbatueshëm. “Kohë më parë Shkalla e Dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës sjelli një vendim me të cilin autorizohej gjykata themelore ne Pejë, Dega në Deçan, që të rivendos çështjen kontestuese rreth pretendimeve te padrejta të manastirit për këto prona.

Është e papranueshëm që në kohën kur procedurat gjyqësore ishin ne zhvillim e sipër, Gjykata Kushtetuese të Republikës se Kosovës, në drejtim të gjyqtarëve Arta Rama –Hajrizi, me 3 dhjetor 2015 nxjerrë vendim për masë të përkohshme ndaj kësaj lende kontestuese në mes komunës dhe dy ndërmarrjeve publike njërën anë dhe manastirin anën tjetër. Ky vendim është i pa pranueshëm për neve qytetarëve të Deçanit, ngase ai është i pa bazë dhe ndërtohet mbi falsifikime dhe të pavërteta të klerikut Sava Janiq”, tha Imeraj.

Historianët e Deçanit, që ishin edhe organizatorë të kësaj proteste, shpalosën në këtë protestë edhe kërkesat e tyre që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të miratojë një ligj të veçantë për shpalljen e dy ndërmarrjet publike “Aapiko” dhe “Iliria” asete komunale. Pastaj të tërhiqet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 3 dhjetor 2015, sepse ky vendim sipas historianëve është shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe ndërhyrje arbitrare në autonominë e gjyqësisë së Kosovës.
Është kërkuar edhe dorëheqja e parevokueshme e gjyqtares Arta Rama –Hajrizi për shkak se ka nënshkruar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.