Dështimi i madh!

Hashim Thaçi pati premtuar në fushatën e fundit zgjedhor se po qe se partia e tij do të jetë në Qeveri pagat e shërbyesve civilë në Kosovë do të rriten për 25 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila drejtohet nga Hashim Thaçi, ka një vit që është pjesë e Qeverisë, ku ka pushtet të madh në ekzekutiv, ndonëse posti i kryeministrit i ka takuar Isa Mustafës të LDK-së, por pagat e shërbyesve civilë nuk janë rritur.

Rritja e pagave ka mbetur vetëm në nivel të premtimeve parazgjedhore, pasi që aktualisht nuk ka mundësi buxhetore për rritje të tyre.

Për më tepër, në zgjedhjet e vitit 2014 Thaçi pati premtuar se gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë shërbyesve civilë do t’u rriten pagat 100 për qind, 25 për qind çdo vit.

Në anën tjetër, gjatë vitit 2015 veprimi i vetëm i Qeverisë ka qenë realizimi i pagesës së përvojës së punës për të punësuarit në arsim prej 0,5% të pagës bazë për çdo vit të plotë të përvojës së punës.

Përfaqësues të opozitës, organizatave joqeveritare, analistë, e shohin rritjen e pagave vetëm si premtim elektoral dhe jo si çështje që preokupon zyrtarët e lartë të shtetit. /Zeri