Dirigjenti i parë: Ju rrëfej Bandën e Tiranës

Banda e Tiranes 1Banda muzikore e Tiranës mbush 50 vjeç. Meqë bëhet fjalë për vitet e diktaturës, prej një kujdesie të drejtpërdrejtë politike, në shkurt të vitit 1966 nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës krijohet orkestra frymore, si një nevojë për të përballuar aktivitetin artistik të kryeqytetit. Siri Rroji, dirigjenti i parë i Bandës rrëfen në një libër, që promovohet sot, jetën e “frymorëve profesionistë” të kryeqytetit

Orkestrat frymore në Shqipëri janë më të vjetrat e të gjitha formacioneve muzikore në vendin tonë. Këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet shumë herët, duke u bërë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të vendit që në vitet 1920. Njëkohësisht, u shndërruan në themelin e muzikës së kultivuar kombëtare.

46 vjet pas krijimit të orkestrës frymore në Shkodër, në fundin e viteve 1800, ish-Kryeministri Fan Noli krijoi bandën frymore të Tiranës, me muzikantë të ardhur nga jashtë kufijve të Shqipërisë. Por këto ishin në fakt orkestra të vogla frymore.

Me kalimin e viteve, sidomos pas 1945-ës, kjo trupë erdhi duke u zgjeruar dhe për të filluan të shkruanin pjesë muzikore kompozitorë të njohur, si: Prengë Jakova, Pjetër Dungu apo Enver Mara. Megjithatë, fizionominë e plotë nga ana profesionale, Banda frymore e Tiranës e mori në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Kështu ata që shihen shumë rrallë në ditët e sotme në kryeqytet, por u ringjallën nga një histori politike, Banda muzikore e Tiranës, mbush 50 vjeç. Meqë bëhet fjalë për vitet e diktaturës, prej një kujdesie të drejtpërdrejtë politike, në shkurt të vitit 1966 nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës krijohet orkestra frymore, si një nevojë për të përballuar aktivitetin artistik të kryeqytetit. Veprimtarinë e nisi si një orkestër frymore amatore, e cila me kalimin e viteve u bë Orkestra Frymore Profesioniste e Tiranës.

Për ta shënuar këtë përvjetor, Qendra Kulturore “Tirana” bën të ditur se sot do të mbahet një koncert përkujtimor në mjediset e Qendrës Multifunksionale TEN. Koncerti është ideuar të ketë interpretime të ndryshme nga repertori i vetë Bandës ndër vite, duke filluar që nga Himni, marshet klasike, popullore e pjesë të ndryshme muzikore. Gjithçka interpretohet live.

Por nuk do të mungojnë dhe diskutimet e kujtimet nga ish-anëtarët e Bandës së Tiranës, ku në këtë rast do të promovohet libri “Orkestra Frymore e Tiranës”, i autorit Sirri Rroji, dirigjentit të parë të Bandës së Tiranës. “Krijimi dhe organizimi i një orkestre të madhe frymore nuk ka qenë një proces i lehtë dhe nuk ka ecur gjithmonë në një rrugë të shtruar. I ri në profesionin e dirigjentit nuk e kisha përvojën e duhur për të drejtuar një orkestër me formacion të madh dhe aq më tepër me muzikantë amatorë. Disa prej tyre kishin mësuar instrumentet gjatë zborit ushtarak në Orkestrën Frymore të Ushtrisë. Aq më tepër mungesa e instrumenteve përbënte një problem real. Më të shumtat prej tyre i siguruam përmes njohjeve personale”, shkruan mes rreshtat Sirri Rroji. Orkestrat frymore janë quajtur dhe quhen ende me emrin “Banda”, të cilat përbëhen nga një grup muzikantësh të cilët luajnë së bashku. Sipas Rrojit, qyteti i Tiranës nuk ka pasur një orkestër frymore të vetën, të përhershme. Por me shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë, në të kanë ushtruar aktivitet disa orkestra të tilla. E para prej tyre ishte “Banda Presidenciale Shqiptare” e drejtuar nga Thoma Nasi. Pas saj, me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri në vitin 1928, krijohet “Banda Muzikore Mbretërore”, e cila me pushtimin e vendin nga Italia mbetet si bandë shtetërore. Në vitin 1966 komiteti Ekzekutiv i Tiranës vendosi krijimin e Orkestrës Frymore Amatore të Qytetit, me dirigjent Sirri Rroji, përgjegjës artistik dhe organizativ Riza Madhin, Viktor Shirokën, Kristofor Qorrin, Beniamin Krutën, Muharrem Lucën, Konstandin Topin, si dhe 64 instrumentistë, të gjithë në moshë të re.

“Fillimisht punohej 2–3 orë në ditë, derisa orkestra u konsolidua nga ana tekniko-profesionale. Më pas në bazë të programit të Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit, si për të gjitha orkestrat frymore të vendit, puna në orkestër u reduktua në tri ditë në javë. Pavarësisht se ishte institucion amator, Banda e Tiranës ekzistonte si një entitet shtetëror dhe administrativ.

Aktualisht Banda e Tiranës përbëhet nga 39 instrumentistë, ku në përbërje të saj ka saks, klarinetë, tromb, trombonë, korno, tenor, bass, perkusione, flaut etj.

Banda e Tiranës si formacion muzikor i lëvizshëm ka aftësinë të komunikojë drejtpërdrejt me publikun, duke dhënë koncerte në natyrë, në sheshe e në çdo ambient, duke pasur kontakt me të gjithë shtresat e shoqërisë në çdo ditë feste a aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Qendra Kulturore Tirana./mapo.al/xlpress.tv/