Domatja “hit”, ministri Panariti: Ashtu bëhet domatja për 6 ditë, mund të jetë edhe fotoshop! (Video)

Fotoja e një domateje paksa të çuditshme ka qarkulluar në rrjetet sociale ditët e fundit. Frika tek konsumatorët u shtua, por askush nuk shpjegoi se çfarë ishte në të vërtetë domatja.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti deklaroi në emisionin ‘Eko-Politikë”, në “Ora News” se produktet shqiptare janë tërësisht të sigurta dhe nuk e kuptonte pse ka një fushatë kaq të egër prodhimit vendas.

Ministri tha se ideja e krijuar se në komunizëm, shqiptarët hanin produkte bio është e rreme, duke theksuar se shumë pesticide që përdoreshin atëherë, tani janë të jashtëligjshme dhe jashtë qarkullimit.

Panariti foli edhe për bllokimin nga Maqedonia të prodhimeve shqiptare, duke theksuar se i gjithë qëllimi është konkurrenca.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Z. Ministër, sa të sigurta janë prodhimet vendase? Çfarë është ajo domate…? (gazetarja tregon domaten që qarkullon në mediat sociale)

Panariti: Po ta lësh një domate për 6-7 ditë do të marrë një formë të tillë. Mund të bëhen me fotoshop dhe të hidhen në rrjetet sociale dhe të krijojnë panik. Nuk kam parë vend tjetër ku të stigmatizohet prodhimi vendas. Për të krijuar situata të paqena, duke i bërë një dëm të jashtëzakonshëm dhe sigurisht edhe konsumatorit.

Gazetarja: Mund ta na garantoni se jemi të sigurt?

Panariti: Unë jam konsumator dhe toksikolog! Unë ju siguroj që konsumatori shqiptar është sot më i sigurt se kurrë. Është krijuar një ide se në kohën e komunizmit hanim produkte bio. Kjo është një mit dhe një e pavërtetë e madhe.