Donald Tusk: Schengeni para kolapsit

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka tërhequr vërejtjen më 12 nëntor se marrëveshja e kufijve të hapur në Bashkimin Evropian, që njihet edhe si zona Schengen, është para kolapsit si rezultat i krizës me migrantë.

Duke folur në samitin BE-Afrikë në Maltë, Tusk ka thënë se “ruajtja e Schengenit është një garë kundër kohës dhe ne jemi të vendosur për ta fituar këtë garë.”

Komentet e tij pasojnë vendimet e Asutrisë, Gjermanisë, Hungarisë, Sllovenisë dhe Suedisë, për të rikthyer kontrollin e kufijve dhe për të ngritur gardhe përreth tyre, në përpjekje për të kontrolluar hyrjet në territoret e këtyre vendeve.

Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e Maltës kanë nisur zyrtarisht formimin e një fondi emergjence për vendet afrikane, me një shumë fillestare prej 1.8 miliardë eurosh, për të luftuar varfërinë dhe konfliktet, që po sjellin fluks të madh të migrantëve në Evropë.