“Dridhet” qeveria e Serbisë, disa zyrtarë të saj pranojnë Kosovën Republikë

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq ka folur për çështjen e bisedimeve dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, menjëherë pas hapjes së kapitullit 35 për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë intervistë Nikoliq ka thënë se në qeverinë serbe ka diplomatë të cilët do ta pranonin shtetin e Kosovës në mënyrë që të heqin barrën nga shpina, të fshijnë djersën nga balli dhe të mbyllin një çështje, ka thënë Nikoliq për Veçerni Novosti.

“Po ju tregoj se në qeverinë serbe ka zyrtarë që do ta pranonin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të largojnë barrën nga shpina, të fshijnë djersën nga balli dhe ta mbyllin një çështje diskutimi”, ka thënë Nikoliq.

Më tutje Nikoliq është pyetur nëse në mesin e atyre që pranojnë pavarësinë e Kosovës ka ndonjë ministër, është përgjigjur se ka njerëz më funksione të caktuara në qeverinë e Serbisë, që favorizojnë interesat e fuqive të mëdha perëndimore.

“E dimë se ka njerëz në funksione të caktuara të cilët në kokë kanë interesin e fuqive të mëdha, ndërsa fuqitë e mëdha perëndimore kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.”

Ai ka kërcënuar këta persona duke thënë se duhet të dalin publikisht t’i shprehin mendimet e tyre. Por, ai ka shtuar se në këtë mënyrë do të shfaqeshin publikisht dhe qeveria do të dinte se “me kë ka punë”.

Më tutje Nikoliq është pyetur nëse Serbia duhet të mbyll bisedimet e kapitullit 35 me BE-në, nëse kjo e fundit do të implementonte pavarësinë e Kosovës, ashtu siç edhe është hartuar në draftin e këtij kapitulli.

Nikoliq ka thënë se qeveria e Serbisë duhet të ketë kujdes në këto bisedime, duke i ikur përgjigjes konkrete nëse Serbia do të mbyllte bisedimet.

I pyetur nëse BE-ja kushtëzon Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Nikoliq tha se me dorën e tij nuk do të nënshkruajë asnjë dokument që e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Sigurisht nuk do të nënshkruajë asgjë që nuk është në përputhje me Kushtetutën serbe, dhe nënshkrimi i një dokumenti që e pranon Kosovën të pavarur është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Nikoliq.