Dy raste të reja me HIV/AIDS janë paraqitur gjatë këtij viti, një numër ky shumë i vogël në raport me vendet e regjionit. Derisa, prej vitit 1986, kur është regjistruar rasti i parë, e deri më sot, në Kosovë janë regjistruar 100 raste me HIV/AIDS
Prej vitit 1986, kur është regjistruar rasti i parë, e deri më sot në Kosovë janë regjistruar 100 raste me HIV/AIDS. Nga këta të infektuar, 54 raste ishin me AIDS dhe 46 me HIV infeksion, prej të cilave 41 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it.
Në aspektin gjinor, 69 për qind i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 31 për qind janë femra. Gjatë vitit 2015, janë regjistruar 2 raste të reja me HIV/AIDS, që krahasuar me vendet e rajonit është numër shumë i vogël.
Këto të dhëna u bënë publike në një konferencë me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër HIV/AIDS, ku u tha se edukimi shëndetësor, zhvillimi i kapaciteteve diagnostike dhe përdorimi i terapisë antiretrovirale, kanë bërë që mundësitë për të luftuar me epideminë e HIV/AIDS-it, të rriten derisa ndaj të prekurve me këtë virus të hiqen paragjykimet./Zëri/