Dy portierë, katër histori (Foto)

Etrit Berisha dhe Samir Ujknai të premten do të gjenden në një fushë, do të luajnë kundër njëri-tjetrit, por historitë e tyre janë të njëjta.

Dorëzat që Samir Ujkani mbante në duar të mërkurën, tregonin qartë se do mbrojë me kënaqësi ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës, në ndeshjen festive kundër Shqipërisë, të paraparë më 13 nëntor në Prishtinë. Por, para se të mbronte portën e Kosovës, Ujkani thotë se me kënaqësi kishte mbrojtur edhe ngjyrat e Shqipërisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në dorëzat që përdori të mërkurën ishte vënë një flamur i Kosovës. Ujkani 27-vjeçar për Shqipërinë luajti 20 ndeshje nga viti 2008 deri në vitin 2014. Nga marsi i vitit 2014, ai i është bashkuar Kosovës dhe ka zhvilluar gjashtë ndeshje. Ndërrim të përfaqësueses pati edhe portieri tjetër kosovar, Etrit Berisha.

Ai para se t’i bashkohej Shqipërisë në vitin 2012, mbrojti ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës në disa ndeshje. Berisha për Shqipërinë debutoi në maj të vitit 2012 në ndeshjen miqësore kundër Iranit. Që nga ajo kohë Berisha është kthyer në portier të pazëvendësueshëm te kombëtarja shqiptare.

Pra, të dy portierët kosovarë kanë nga dy histori: një me Kosovën dhe një me Shqipërinë. Secili i rrëfen historitë e tij me mburrje.

“Është një ndeshje speciale për mua dhe me shumë emocione”, ka thënë ish-portieri i Shqipërisë, tash i Kosovës, Samir Ujkani.

“Jam shumë i kënaqur dhe mendoj se jam duke e përfaqësuar si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën”, ka shtuar Berisha, ish-portieri i Kosovës, tash i Shqipërisë./gazetaexpress/