E fshehta e bukurisë

Vendimin mbi nëse një fytyrë është e bukur apo jo ne e marrim shumë shpejt.

Vendimin mbi nëse një fytyrë është e bukur apo jo ne e marrim shumë shpejt. Si duket kjo duhet të ketë pasur rëndësi të madhe përgjatë evolucionit, pasi shkencëtarët i kanë gjetur proceset vendimmarrëse për këtë në një pjesë të lashtë, të parë nga historia e zhvillimit, të trurit tonë.

Studimet kanë treguar se njerëzit e bukur e kanë të lehtë në jetë. Ata parapëlqehen që kur janë të vegjël. Të bukurit kanë më tepër sukses, më tepër jetë seksuale dhe më tepër të holla.

Studimet tregojnë se bebet ia ngulin më tepër sytë të njëjtave fytyra që të mëdhenjtë i gjejnë tërheqëse. Me sa duket fëmijët e vegjël e kapin që në moshë të vogël nëse një fytyrë është e bukur.

Ajo që duket të jetë e sigurt është se e fshehta e bukurisë së fytyrës qëndron në një pjesë të madhe në simetrinë e saj. Shkencëtarët u kanë treguar fotografi fytyrash grash njerëzve të kulturave të ndryshme. Para së gjithash ato që kishin fytyra tepër asimetrike u vlerësuan si jotërheqëse nga këta njerëz. Ato nuk dukeshin të shëndetshme. Për shkencëtarët kjo është një shenjë që tregon se një fytyrë simetrike shpalos një gjendje të mirë shëndetësore. Në shumë kultura në raste festash theksohen me vizatime simetritë e fytyrës. Këto mund të ishin çelësi zbërthyes i idealit të bukurisë së përhapur në të gjithë popujt.

Në një studim tjetër shkencëtarët shkrinë së bashku shumë fotografi grash në një të vetme dhe lanë personat e testuar të vlerësonin përfundimin. Kjo fytyrë “e mesme e përpjesshme” iu duk pjesës më të madhe me e bukur se fotografitë origjinale. Ndoshta ka të bëjë me atë që përmes shkrirjes së bashku fytyra e së mesmes së përpjesshme bëhet më simetrike. Përveç kësaj zhduken rrudhat dhe papastërtitë e fytyrës. Kjo i çoi shkencëtarët tek gjurmët e disa prej faktorëve më të rëndësishëm të bukurisë: lëkura e lëmuar, e pastër. Ajo pasqyron rini dhe një sistem të mirë imunitar.

Ndër meshkuj, tërheqëse janë fytyra e hollë, një mjekër e theksuar, por para së gjithash mollëza të kërcyera. Tek gratë janë gjetur më tepër faktorë bukurie, për shembull fytyra e hollë, buzë të mbushura dhe një largësi e gjerë midis syve. Ato bëhen edhe më tërheqëse nëse kanë disa tipare fëmijërore si sy të mëdhenj, një ballë të lartë e të rrumbullakët, një mjekër të vogël. Nëse fytyra tregon njëkohësisht edhe shenja pjekuria si mollëza të kërcyera, ajo duket edhe më tërheqëse.

Si përfundim shkencëtarët mendojnë se bukuria i dërgon një mesazh partnerit. Një fytyrë e bukur tregon cilësi të fshehura, si një sistem të pacenuar imunitar ose një formim të patrazuar trupor. Kështu bukuria lehtëson kërkimin për një partner të shëndetshëm. Këto raporte krijojnë në mënyrë të pavetëdijshme zemberekun për zgjedhjen e partnerit edhe pse mendojmë se kjo gjë nuk mund të na kapë ne. Dëshira për të pasur pasardhës të shëndetshëm, ndikon sjelljen tonë. Që dikush na duket i bukur, është e lidhur ngushtë me atë që, nëse ky person mund të ishte ati ose ëma e fëmijëve tanë. /rruzull.net/