Edhe Apeli e lë 30 ditë në paraburgim Albulena Haxhiun

Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Kosovës, të premten, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurës Albulena Haxhiu.

“Kështu, Apeli ka refuzuar si të pa bazuar, ankesën e avokatit mbrojtëse, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.KR.nr. 413/2015, të datës 08.12.2015”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Më tej thuhet se e pandehura po dyshohet nga ana e prokurorisë, për veprat penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, neni 375 i Kodit Penal të Kosovës; Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 i këtij kodi, si dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 365, të të njëjtit kod.

Kolegji penal vlerëson, sipas komunikatës së Gjykatës së Apelit, se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit konform nenit 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për këtë gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye te qarta dhe konkrete.

Gjykata e Apleit tregon se rreziku se po të gjendet në liri deputetja Albulena Haxhiu, dyshohet se mund ta përsëritë veprën penale, pasi për një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale./express