Ekskluzive/ “Fitojmë 0-1 me Uzunin”! Legjenda e Kombëtares: Brez pas brezi ky problem nuk ndryshoi kurrë te Shqipëria, ne ishim më të lidhur me fanellën

Shqipëria do të përballet me Izraelin në takimin e vlefshëm për Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kërkojnë vetëm fitoren për të vazhduar ëndrrën e vendit të parë në grup. Sport Ekspres ka intervistuar një legjendë si Altin Rraklli, i cili përpos komentit të tij të mëparshëm për Brojën, ka analizuar në detaje Kombëtaren dhe ofruar disa këshilla që mund të përdoren edhe nga Reja.

Izrael-Shqipëri! Na mundën në ndeshjen e parë në shtëpi dhe tani vjen transferta. A janë vërtet kaq të larta diferencat sa kjo Kombëtare të fitojë sërish me ne apo është momenti i kuqezinjve?

Unë besoj se Shqipëria e fiton ndeshjen për shumë arsye. Fitojmë sepse besoj në këtë logjikën e ekipeve që janë të njëjtin nivel, si Izraeli dhe Shqipëria. Nuk mund t’i fitojnë dot 6 pikë njëra-tjetrës, pra që ta mundin brenda dhe jashtë. Ajo fitore e Izraelit ishte…jo e pamerituar, por rastësi në saj të gabimeve tona. Mund të shkonim në 2-0 me Armando Brojën në atë ndeshje. Tani duhet të heqim dorë nga egoizmi, të mendojmë për grupin. Gjithashtu edhe mungesat e Izraelit janë me shumë peshë, nuk duhen harruar.

A ishte Izraeli një rival kaq i fortë apo e bëmë ne të duket i tillë?

E thashë edhe më lartë, janë në të njëjtin nivel. Në ditët tona më të mira, ne përballemi me ekipe shumë të forta, ashtu edhe Izraeli. Pastaj me njëri-tjetrin ndikon mentaliteti, mënyra sesi studiohet rivali. Mendoj se është forma e ditës ajo që e ndan ndeshjen. Izraeli nuk e meritoi atë fitore, por gabimet tona, paaftësia në disa momente, mungesa e impenjimit dhe egoizmi solli atë rezultat.

Përse është kaq e pamundur që t’i kemi tre ndeshje të mira radhazi, tre rezultate pozitive radhazi në Kombëtare?

Kjo ka të bëj me genin e Shqipërisë. Është e vështirë të ndryshoj. Kështu ka qenë para brezit tim, kështu ishte në brezin tim, kështu është edhe sot e kësaj dite. Pas një ndeshje shumë të mirë me një Kombëtare shumë të fortë, vjen dhe na mund një ekip i dobët. Ky problem është në rrënjë. Këtë mund ta ndryshojë vetëm një trajner që mund të rri për kohë të gjatë, të ndryshojë mentalitetin, ndoshta të qëndrojë 10 vite. Është e trashëguar dhe përderisa nuk ka ndërruar ende, do të thotë se është shumë e vështirë.

A i sheh lojtarët mjaftueshëm të lidhur me fanellën në krahasim me kohën kur ti ke luajtur në Kombëtare?

Në kohën tonë, brezi ynë dhe para nesh kanë qenë më të lidhur normalisht. Kombëtarja ishte e vetmja gjë, i vetmi objektiv që ne kishim. Të gjithë lojtarët e ëndërronin fanellën, nuk kishte gjë tjetër. Ndërsa lojtarët sot mendojnë për veten, që të arrijnë në klube më të mira dhe pastaj kjo pjesa ndërthuret pak edhe me Kombëtaren. Nuk duhet të harrojmë se këta djemë janë rritur jashtë Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se nuk e ndiejnë fanellën, por e ndiejnë ndryshe nga çfarë e ndien një lojtar i rritur dhe lindur në Shqipëri.

Do të ishte dështim nëse nuk e marrim vendin e parë?

Do të ishte dështim. Rusia ishte favorite kryesore, fati ynë që u përjashtua, ndryshe do të luanim për vendin e dytë. Kjo është një ndeshje e Rejës, ka peshën e tij, por në fund janë lojtarët që duhet të shpalosin aftësitë e tyre. Ata duhet të kenë idenë në fushë që ndonjëherë t’i dalin edhe vetë Rejës jashtë parashikimeve të tij. Pra ky është momenti që lojtari duhet ta përfaqësoj veten, të prodhoj me idetë e veta.

E çfarë këshille do t’i jepje Kombëtares para këtij takimi?

Izraeli nuk do të luajë me të gjitha forcat për të fituar ndeshjen, duhet të jenë të vendosur mirë në mbrojtje dhe do të luajnë në kundërsulm. Reja duhet të jetë i durueshëm, ta marrë lojën qetë dhe gradualisht. Pastaj duhet të shfrytëzojmë rastin e parë që na vjen, do ta bëjmë ndeshjen shumë më të lehtë.

Sa mendoni se do të fitojmë në këtë ndeshje, meqë ishe optimist?

Mendoj se këtë herë fiton Shqipëria, 0-1 ose 0-2. Për mua nuk do të pësojmë gol dhe ndoshta shënon Uzuni. /Sport Ekspres/

 

Generated by Feedzy