Ekskluzive/ Trajner, Shqipëria ka një festë në 17.11.23, ka ndonjë bar të mirë në Chisinau? Tekniku i Moldavisë përgjigjet: Nuk ju prisja të luanit kështu me Silvinjon

Nga Klaudio Ndreca

Moldavia është kthyer në Kombëtaren e dytë më të preferuar të shqiptarëve. Nëse shpresat tona janë rritur më shumë, kjo vjen në saj të dy surprizave të bukura që ka bërë ky ekip pasi barazoi me Cekinë dhe fitoi me Poloninë.

Sport Ekspres ka intervistuar sërish trajnerin e Moldavisë, Serghei Clescenco, pas fitores së arritur nga Moldavia me polakët, në atë përmbysje të çmendur që shkoi nga 0-2 në 3-2. Teksa e pyesim se çfarë nuk priste nga Shqipëria e Silvinjos, përgjigja nuk vonon: “Presing i madh”.

Por kur e ngacmojmë për ndeshjen Moldavi-Shqipëri, duke i kërkuar të na sygjerojë një lokal të mirë në Chisinau duke supozuar se do të festojmë aty kualifikimin matematikisht në Europian, Clescenco tregon se shqiptarët do të kenë disa variante të mira, por në fillim nuk duhet të harrojnë ndeshjen.

Keni luajtur kundër të gjithëve ne grupin E. Sipas jush, kush nga ky grup do të kualifikohet?

Në këtë moment ka qartazi tre ekipe që janë për kualifikim nga grupi. Shqipëria, Polonia dhe Cekia, nuk di të ndaj ndonjë prej tyre, i shoh të tre këto ekipe me shanse të barabarta për të shkuar në Europian.

Kush të pëlqeu më shumë, Air Albania apo goli i Jasir Asanit?

Goli i Asanit ishte shumë i bukur natyrisht, jo më kot u zgjodh goli më i bukur i raundit kualifikues.

Kemi një festë më datën 17.11.23(data e ndeshjes Moldavi-Shqipëri). Ka ndonjë bar të mirë në Chisinau?

Këtu do të gjeni shumë vende të bukura në Chisinau. Por nuk duhet të harroni arsyen kryesore se pse do të vini këtu, ndeshjen tonë.

Ti normalisht e ke analizuar Shqipërinë e Silvinjos para se të shkoje në Tiranë. Por a kishte ndonjë element që ty të doli nga parashikimi, pra ishte më ndryshe nga çfarë e mendoje?

Presing dhe vetëm presing. Ishte shumë më i madh presingu dhe më i fuqishëm nga ajo që prisja unë para ndeshjes. Ndeshjet me Poloninë dhe Moldavinë janë padyshim merita e këtij trajneri, Silvinjo.

A e dini se shqiptarët janë gëzuar më shumë kur ju i shënuat golin e tretë Polonisë sesa kur për golat tanë me Ishujt Faroe?

E kuptoj, arsyeja është e thjeshtë sepse fitorja juaj me Ishujt Faroe nuk do të ishte asgjë pa fitoren tonë. Në ndeshjen me Cekinë ku barazuam, ne ndihmuam Poloninë. Në ndeshjen me Poloninë që fituam, ne ndihmuam Shqipërinë. /Sport Ekspres/