Ëndërronin apo vërtetë besonin në liberalizimin e vizave? Ja çfarë na thanë liderët tanë!

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, gjatë ditëve të fundit kishin dhënë deklarata optimiste në lidhje më liberalizimin e vizave për Kosovën. Duke filluar prej kryeministrit Isa Mustafa, i cili kishte theksuar se Kosova i ka plotësuar kushtet për ta marrë liberalizimin e vizave, pastaj zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, të cilit as pas pesë viteve nuk po i realizohen “profecitë”.

Prapa në premtime nuk kishin mbetur as ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku dhe ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skënder Hyseni, raporton Telegrafi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, më 18 nëntor të këtij viti, gjatë takimit në Bruksel, me komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij, Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme.

Ndërsa, kampion në premtimin për liberalizimin e vizave është zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për pesë vite radhazi ka premtuar se Kosova “do të marrë liberalizimin e vizave vitin tjetër”.

Thaçi në një intervistë të bërë për gazetën Koha Ditore, 61 muaj më parë (para pesë viteve), gjatë kohesh së fushatës zgjedhore midis tjerash pati thënë: “I siguroj dhe i garantoj të gjithë qytetarët e vendit se vetëm për 15 muajt e parë të qeverisjes së ardhshme që do ta udhëheq do të kemi liberalizim të vizave dhe do të punojmë intensivisht për ta anëtarësuar Kosovën në NATO dhe në BE”.

Deklarata e fundit optimiste e Thaçit për liberalizimin e vizave është bërë më 11 dhjetor të këtij viti, ku ministri i Punëve të Jashtme, pas një takimi në Strasburg me 13 ambasadorë të misioneve përhershme pranë Këshillit të Evropës, nuk kishte hezituar të zbulonte edhe datën e liberalizmit të vizave, raporton Telegrafi.

“I informova për zhvillimin e demokracisë në shtetin e Kosovës, për forcimin e rendit dhe ligjit, për afirmimin dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe për avancimin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut”.

Ai më tej kishte theksuar se me ambasadorët ka diskutuar për dialogun me Serbinë, zbatimin e marrëveshjeve, nënshkrimin e MSA-së dhe për procesin e liberalizimit të vizave, që sipas Thaçit, do të ndodhë në vitin 2016.

Ministri i Integrimeve Evropiane (MIE), Bekim Çollaku, më 9 dhjetor, në rrjetin social Facebook ka theksuar se në vazhdën e përpjekjeve për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave, së bashku me kryeministrin Mustafa, kishin takuar ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai pati theksuar se ka qenë një diskutim i hapur, ku sipas tij prezantuan edhe një herë të gjitha arritjet që Qeveria e Republikës së Kosovës i ka bërë në kuadër të këtij procesi, në të gjitha fushatë e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave të Komisionit Evropian.

“Nënvizuam rëndësinë që ky proces e ka për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët duhet të gëzojnë këtë të drejtë elementare për të lëvizur lirshëm në BE në saje të përmbushjes së zellshme të kushteve teknike nga ana e të gjithë institucioneve përgjegjëse, si dhe faktin që çdo vonesë e mëtutjeshme do të jetë e pajustifikueshme”, kishte shkruar Çollaku.

Ndërkaq, Çollaku në dhjetor të vitit 2014, kishte deklaruar për RTK se Kosova në vitin 2015 do ta ketë liberalizimin e vizave.

“Kosova është në fazën përfundimtare të implementimit të të gjitha kërkesave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe me plotë të drejtë presim që fundi i vitit të ardhshëm të sjell rezultate konkrete në këtë drejtim dhe kjo nënkupton një mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës të cilët njësoj sikurse popujt tjerë të rajonit të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe pa viza në vendet e bashkimit evropian”, kishte thënë Çollaku.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skënder Hyseni, në rrjetin social Facebook, tri ditë më parë, pati theksuar se puna e madhe që ka bërë Qeveria e Kosovës, e që sipas tij, kjo punë ka rezultuar me plotësimin e tërësishëm të kritereve nga udhërrëfyesi, “na jep çdo të drejtë të besojmë se rekomandimi për vizat, që pritet gjatë javës që po hyjmë, do të jetë pozitivë, në mënyrë që vitin e ardhshëm edhe kosovarët të mund të udhëtojmë pa viza në Evropë”. /Telegrafi/