Themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemal Ataturk, u evokua me mirënjohje nga të gjithë në 77-vjetorin e ndarjes nga jeta. Delegacioni shtetëror, kryesuar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, vendosi kurorë me lule në Mauzoleun e Ataturkut.
Ceremonia e parë më 10 nëntor u mbajt në Varrin Monumental (Anitkabir) të “babai të turqve”.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe delegacioni i parisë shtetërore, që e shoqëronte, përshkuan në këmbë Rrugën e Luanëve dhe pastaj u ngjitën në vendndodhjen e Mauzoleut të Ataturkut.
Pas vendosjes së kurorës me lule mbi mauzole nga Presidenti Erdogan, në të katër anët e vendit ranë sirenat dhe u mbajtën 2 minuta qëndrim nderi duke filluar nga ora 09.05, që shënon vdekjen e Ataturkut.
Në vijim u ekzekutua Himni Kombëtar dhe pastaj Erdogan nënshkroi librin e posaçëm të shënimeve, që ndodhet në Kullën e Paktit Kombëtar të Mauzoleut.
“I shenjti Ataturk, ju kujtojmë edhe një tjetër herë me respekt dhe mirësi në 77-vjetorin e vdekjes suaj, si komandat i Luftës Çlirimtare dhe themelues i Republikës sonë. Në këtë periudhë, ku sapo lamë pas 92-vjetorin e shpalljes së Republikës, po punojmë me gjithë forcën tonë drejt synimit për të përparuar mbi nivelin e qytetërimit bashkëkohor, që ju na keni orientuar. Pavarësisht keqdashësve të brendshëm dhe të jashtëm, ne do të përmbushim objektivat për vitin 2023 dhe do të plotësojmë amanetin tuaj. Me këtë rast, bashkë me ju dhe shokët tuaj të armëve, evokoj me respekt edhe të gjithë dëshmorët tanë. Me lejen e Allahut, Republika e Turqisë do të jetë e përjetshme. U prefsh në paqe!”, shkroi Presidenti Erdogan.
Ceremonia shtetërore në Varrin Monumental të Ataturkut përfundoi pas nënshkrimit të librit të posaçëm të shënimeve nga e gjithë paria e shtetit.TRT.shqip.