EULEX: Kemi zgjidhur fatin e dy personave të pagjetur –

Departamenti i Mjekësisë Ligjore të EULEX-it ka identifikuar dy viktima që konsideroheshin të zhdukur që nga lufta në Kosovë.
 Sipas një njoftimi të EULEX-it njëra viktimë është nga Krusha e Madhe dhe nga Pastaseli i Rahovecit.

“Pas zhvarrimeve që janë bërë më 25 gusht 2015 në Krushë të Vogël në Komunën e Prizrenit, si dhe pas pranimit të rezultateve të analizave të ADN-së, DML i EULEX-it ia ka dalë që ta zgjidhë fatin e dy personave të pagjetur. Me këtë rast është identifikuar një viktimë e masakrës së 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël. Përveç kësaj, si rezultat i punës shumë vjeçare me familjet e viktimave të fshatit Pastasel në Komunën e Rahovecit është identifikuar një person tjetër që konsiderohej i pagjetur”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

DML-ja është i kënaqur që ka arritur ta zgjidhë fatin e dy personave të pagjetur prej vitit 1999, në mënyrë që edhe familjet të lehtësohen me përmbylljen e këtyre rasteve, thuhet në njoftim.

EULEX-i bën të ditur se do të vazhdojë ta mbështesë DML-në për t’i zgjidhur rastet e personave të pagjetur në Kosovë.

Prej vitit 2008, EULEX-i i ka zgjidhur 384 raste të personave të pagjetur si rezultat i konfliktit në Kosovë./lajmi