Familja e sotme kosovare dhe problemet e saj

Shkruan: Qendresa Sadiku – Maloku

Në vitet e fundit koncepti mbi familjen, por edhe vetë familja kosovare është duke kaluar një krizë,që ia ka ndryshuar thellë fytyrën familjes tradicionale shqiptare. Pothuajse e kaluar është tashmë familja me gjysh, gjyshe, kushërinj e kushërira. Tashmë familja përbëhet kryesisht nga prindërit dhe fëmijët. E kaluar është tashmë familja ku autoriteti i prindit ishte i padiskutueshëm. Familja,e cila dikur ishte e shenjtë,për të cilën kanë dalë aq shumë proverba prej popullit,sot nuk ngjan më me të vjetrën. Shndërrimi i shoqërisë, nga një shoqëri tradicionale dhe e mbyllur në një shoqëri të hapur, si dhe ndryshimet rrënjësore sociale e ekonomike, që ishin përfundim i këtij kalimi, krijuan një model të ri të familjes, model i cili nuk ngjan pothuajse në asgjë me vite më përpara. Rritja e divorceve, zvogëlimi i lindjeve, bashkëjetesa pa kurorë, krijimi i lidhjeve të paqëndrueshme e që më shpejt përfundojnë se sa fillojnë, familjet e modeli i funksionimit të tyre në kushtet e emigracionit, janë disa nga karakteristikat kryesore të krizës që vihen re në familjen e sotme kosovare.
Cilat janë pasojat e një krize të tillë? Si evoluon konflikti midis brezave? Sa janë të gatshme familjet tona në emigracion e kudo, t’i përshtaten një ndryshimi të tillë kaq të madh?
Ç’rol luajnë mentaliteti i prindërve, i vetë të rinjve, si edhe ambienti shoqëror ku jetojmë, në krijimin e një familjeje të ndërtuar mbi baza të shëndosha? A është e përgatitur familja shqiptare, siç e kemi njohur deri më sot, të përballojë këtë ndryshim kolosal – apo konflikti që krijohet në gjirin e familjes është antagonist? Ç’rol luan edukata e trashëguar familjare dhe niveli kulturor në ruajtjen dhe ndërtimin e familjeve të shëndosha?

Sa ka ndikuar emigracioni dhe cilat janë pasojat e tij në familjen e sotme shqiptare? Përse emigracioni, duket se ka “shkatërruar edukatën” që të rinjtë merrnin dikur në vendin e tyre? A është fajtor emigracioni, shoqëria ku jetojnë tashmë të rinjtë, por edhe prindërit për këtë ndryshim? Mos vallë fajtor edhe një herë është ambienti dhe shoqëria e vendit të huaj, në faktin që shpesh të rinjtë, por jo rrallë edhe prindërit ndërtojnë marrëdhënie të ftohta e të paqëndrueshme brenda familjes? Apo janë lidhjet dashurore të cekta që ata krijojne atje duke imituar e ‘pasqyruar’ shoqerinë ku ata jetojnë?

Ç’rol luan ekonomia në marrëdhëniet dhe në vetë familjen? Të qenit i pavarur ekonomikisht sa ndikon?
Mos vallë sot, duhen rishikuar e ndryshuar mjaft nga konceptet e vjetra mbi familjen dhe rolin e saj kur mentaliteti i vetë të rinjve vjen si pasojë e trysnisë së fuqishme që ata detyrohen të përballojnë prej jetës së përditshme, shoqërisë, ambientit dhe mentalitetit të ri?
Ja disa përgjigje mbi këto pyetje:
Sipas studimeve të kryera kohët e fundit nga sociologë të ndryshëm, kjo krizë ka qenë e pritshme dhe e pashmangshme. Cilat janë fenomenet bazë që shprehin trajtën më të plotë të krizës në familjen e sotme:

– Shtimi në numër i divorceve dhe prishjes së familjeve;
– Konflikti i hapur ndërmjet prindërve e fëmijëve;
– Konflikti i hapur,luftë brezash midis të rinjve dhe të moshuarve në familje;

– Shtimi i familjeve që kanë një kryefamiljar (baba, nënë, fëmijë);

– Rritja e numrit të personave, kryesisht e të rinjve, që bashkëjetojnë pa vënë kurorë;

-Të rinjtë kanë frikë të vendosin për të ngritur familje;

– Zvogëlimi i numrit të fëmijëve për familje;

– Mungesa e mirëqenies, papunësia pamundësojnë mbajtjen një familjeje;

– Martesat kryhen mbi bazën e interesit ekonomik dhe jo të lidhjes shpirtërore;

“Dashuria kalon nga xhepi!”
Në një pjesë jo të vogël të të rinjve vërehet një përshtatje më e madhe me ambientin dhe shoqërinë e një bote kapitaliste. Për ta, martesa dhe familja nuk është një lidhje shpirtërore, nuk është lidhje që krijohet me një shok jete, por është diçka shpesh herë e rastësishme, disa herë e nevojshme dhe në shumicën e rasteve një lidhje që krijohet duke patur për bazë interesat ekonomike e financiare. Janë jo të ralla rastet kur të rinjtë tanë gjejnë me ndërmjetësi një partner jashtë vendit që u premton ‘parajsën’ por u merr lirinë. Ka mjaft te rinj sot që bëjnë pazar me jetën e tyre, që lidhen pas vlerave materiale të partnerit e jo pas vlerave humane, sociale e kuturore të tij.

Një mesazh po transmetohet gjithnjë e më shpesh këto vitet e fundit. Nuk janë të pakta rastet kur krijohen familje pa asnjë bazë të shëndoshë, rrjedhojë e njohjeve të rastësishme, apo e mblesërive pa periudhën e nevojshme e të domosdoshme të njohjes. Nuk janë të pakta familjet që krijohen mbi bazën e entuziazmit të parë dhe që shpërbëhen shumë shpejt. Të shumta në numër janë edhe lidhjet apo familjet që krijohen duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të partnerit, pra të ngritura mbi bazën e interesit ekonomik. Përgjithësisht këto janë familje që nuk kanë kohëzgjatje dhe që fati i tyre shpesh është i paracaktuar. Gjithashtu të shumta janë edhe ato martesa që kryhen ndërmjet të panjohurish fare, vetëm e vetëm për të shpëtuar prej varfërisë e mjerimit. Fundi…!?

Një nga shkaqet e krizës që kalon familja e sotme është edhe zvogëlimi i numrit të fëmijëve, gjë që përbën një hallkë shumë të fuqishme lidhëse për familjen, krijon detyrime dhe përgjegjësi tek prindërit. Në të rinjtë e sotëm, në familjet e reja sot, vihet re një fenomen. Nuk dëshirojnë të lindin shpejt fëmijë, ose dëshirojnë jo më tepër se një fëmijë, pasi duan të kalojnë mirë, të shijojnë jetën, pushimet, dëfrimet, etj. Përveç kësaj arsyeje, e cila gjithsesi duhet respektuar, ata nxjerrin edhe një arsye tjetër, atë që shpesh nuk i kanë mundësitë financiare të rritjes dhe të edukimit të nevojshëm të fëmijëve, mungesa e një pune të sigurtë,mungesa e shtëpive,fakti që mjaft femra sot punojnë dhe nuk disponojnë kohën e nevojshme për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, dhe se të rritësh sot një fëmijë ashtu siç duhet, duhen shpenzime të mëdha.Po kaq të mëdha janë dhe përgjegjësitë.

Në familjet e sotme vihet re edhe një konflikt i hapur dhe shpeshherë edhe antagonist ndërmjet prindërve të mbrujtur me konceptin tradicional të familjes dhe të rinjve, të cilët në shumë raste nuk e pranojnë mentalitetin e prindërve të tyre – luftë e theksuar brezash. Kryesisht për ato që përmendëm më sipër. Mungesa e taktit dhe intoleranca që vihen re në shumë raste ka bërë që lidhjet ndërmjet brezit të vjetër me atë të ri në familje të jenë me kontradikta mjaft të ashpra. Për shumë prindër nuk mund të konceptohet dot bashkëjetesa ndërmjet dy të rinjve pa u martuar, nuk mund të konceptohen dot lidhjet e ndryshme erotike të fëmijëve të tyre. Nuk janë mësuar ende dhe vështirë se do të mësohen me faktin që fëmijët e tyre të dalin e të dëfrejne deri në orët e vona të natës. Shqetësimi në këtë rast është “mbeturinë” e konceptit tradicional të familjes. Gjithsesi, këto janë probleme me të cilat ndeshen të gjitha familjet sot në shoqërinë urbane.Nuk është i pakët numri i të rinjve që bashkëjetojnë për një kohë të gjatë përpara se të vendosin të krijojnë së bashku familje. Dhe kjo është një gjë normale dhe që i shërben ndërtimit të një familjeje të shëndoshë. Përse? Të rinjtë, duke qenë për një periudhë bashkë, mësojnë të bëhen më të përgjegjshëm e të përballojnë së bashku vështirësitë e jetës – ato ekonomike, të përballojnë trysninë e ambientit, etj.

Dhe kjo përvojë i mundëson ata të dalin më të fortë e më të përgatitur për jetën. Nuk përjashtohet mundësia që ata të thyhen nga të gjitha këto vështirësi dhe duke mos pas vënë kurorë të ndahen më shpejt se sa do të ndaheshin duke qenë të martuar. Megjithatë, te pjesa më e madhe e shqiptarëve, dhe kryesisht atyre emigrantë, koncepti i familjes ende është i shenjtë. Ndoshta edhe për faktin se një pjesë e madhe e tyre erdhën e u vendosën në Europë e Amerikë para shumë vitesh, kur edhe koncepti për familjen nuk kishte ndryshuar – dhe mentaliteti që ata sollën dhe që transmetuan tek brezi i ri ishte i njëjtë me atë të viteve të mëparshme. Kjo ka bërë që familjet të jenë të qëndrueshme dhe me një edukatë të denjë qytetare. Ata shprehen se u pëlqen jeta familjare dhe se do të dëshironin të krijonin familje, megjithë vështirësitë e shumta që u duhet të përballojnë.

Tek një pjesë e madhe e të rinjve emigrantë shqiptarë mbizotëron koncepti se me bashkëshortin/ bashkëshorten duhet të jesh edhe mik, edhe dashnor, edhe shok jete – një koncept i ri dhe i drejtë që po zë vend gjithnjë e më shumë në ditët e sotme. Në radhët e emigrantëve të bën përshtypje fakti që në përgjithësi ata kanë familje të qëndrueshme, dhe përpiqen t’i edukojnë fëmijët e tyre me një edukatë të shëndoshë, duke marrë gjithçka të mirë e të bukur nga jeta e tradita shqiptare. Nuk janë të paktë ata prindër, që megjithëse të lodhur e të rraskapitur nga puna e rëndë gjejnë kohë të merren me fëmijët e tyre, të interesohen në shkollë për përparimin e tyre, t’u japin fëmijëve një edukatë e moral të shëndoshë qytetar.

Por probleme vihen re edhe në emigracion. Jo vetëm prindërit, por edhe vetë të rinjtë shprehin një shqetësim të madh, për faktin se atje është e vështirë mundësia e njohjes; mundësitë e kontaktit ndërmjet të rinjve në mënyrë që ata të njihen janë të pakta. Kryesisht njohjet bëhen nëpërmjet familjeve, shoqërisë, shkollës apo veprimtarisë së tyre në institucionet fetare. Në më të shumtën e rasteve këto njohje janë të shëndosha, pasi si niveli ekonomik ashtu edhe mentaliteti janë pothuajse të njëjta.Gjithsesi, ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike, sociale e ekonomike patjetër që do të reflektonin me ndryshime edhe në familje.

Ёshtë për t’u vlerësuar fakti se kultura dhe tradita e lashtë familjare kanë evoluar koceptin mbi përmbajtjes e familjes sonë të sotme. Fatmirësisht, populli e ka ruajtur familjen, vlerat positive të saj duke bërë një përshtatje të gjithçkaje të mirë të traditës me konceptet moderne perëndimore. Por, fatkeqësisht – kuptojmë se në vendin tone nuk ka institucione të caktuara që merren me çështjet dhe problemet familjare, që mbështesin dhe ndihmojnë familjarët e të rinjtë në kuptimin dhe përballjen me to.