Fatmir Limaj, për 35 ditë, 7 herë në gjykatë

Sot Fatmir Limaj do të dalë para gjykatës në akuzat për shpërdorim detyre sa ishte ministër i Transportit dhe Postë-Telekomit.

Bashkë me Limajn në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Më 30 tetor, Limaj atë që prokuroria e quan “aktakuzë e konsoliduar” ku janë bashkuar dy aktakuzat MTPT1 dhe MTPT2, e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Akuzat kanë të bëjnë me dyshimet për keqpërdorime në kohën kur Limaj ishte Ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, si ministër i PDK-së.

Kreu i partisë opozitare Nisma edhe dje ishte në Gjykatën e Apelit për Rastin “Kleçka”. Nga kolegji i kësaj gjykate ai kërkoi ”drejtësi dhe vetëm drejtësi”.

Vetëm brenda periudhës 30 tetor- 4 dhjetor 2015, Limaj ka dalë dhe do të dalë 7 herë para gjykatës.

Limaj, si njëri nga të akuzuarit në rastin MTPT, në cilësinë e të akuzuarit u paraqit në gjykatë më 30 tetor, 18 dhe 26 nëntor, ndërsa nesër dhe pasnesër përsëri do të jetë në gjykatë lidhur me këtë rast.

Po ashtu në cilësinë e të akuzuarit, këtë herë në rastin “Kleçka”, Limaj u paraqit në gjykatë dje dhe do të paraqitet sot. /kallxo.com/