Filloi “lufta” kundër TikTok, pas Komisionit Europian, vendet e BE fillojnë ta ndalojnë për administratën publike

TikTok është padyshim rrjeti social i viteve të fundit, që ka futur në krizë edhe gjigantët e grupit Meta, Facebook dhe Instagram, duke u fokusuar fillimisht tek moshat e reja dhe më pas duke u shtrirë në mënyre të shpejtë kudo.

Aplikacioni me video të shkurtra, që nga koreografitë adoleshenciale të fillimeve tashmë përdoret nga politikanë dhe analistë seriozë, madje edhe nga vetë ushtarët në frontin e parë të luftës në Ukrainë.

Duke përfituar nga një algoritëm që i përshtatet menjëherë shijeve të secilit prej përdoruesve, dhe një censure më të kufizuar se në rrjetet sociale më të njohura, TikTok është shndërruar në një fenomen ndërkombëtar me më shumë se 1 miliard përdorues aktivë çdo muaj, por mbetet gjithsesi një sipërmarrje kineze, dhe kjo ka gjeneruar dyshime të shumta, veçanërisht në një epokë konfliktuale si kjo.

Dyshimet janë që të dhënat e këtyre përdoruesve shkojnë në Pekin dhe analizohen nga regjimi komunist, më së shumti për arsyeje komerciale, por vetëm. Dy ditë më parë, Komisioni Europian e ka ndaluar përdorimin e TikTok nga telefonat e administratës të këtij institucioni, nga frika se rrjeti social mund të fshihet një sistem përgjimi, ku nuk përjashtohet rreziku në fushën e sulmeve kibernetike.  Punonjësit e KE duhet ta çinstalojnë programin brenda 15 marsit.

Ministri italian për Administratën Publike, Paolo Zanglillo, ka deklaruar se qeveria e Romës po mendon të  bllokojë TikTok te më shumë se 3 milionë nëpunës shtetëror

Ndërkohë që në SHBA po përgatitet një ligj që mund ta cilësojë programin kinez si të paligjshëm në të gjithë territorin amerikan, shtetet europiane kanë filluar t’i binden shembullit të Brukselit.

E para duket Italia, e cila përmes ministrit të saj për Administratën Publike, Paolo Zanglillo, ka deklaruar se qeveria e Romës po mendon të  bllokojë TikTok te më shumë se 3 milionë nëpunës shtetëror.

“Vendimi mund të jetë i shpejtë, ndoshta mblidhemi për ta diskutuar brenda javës që vjen”, ka deklaruar minsitri italian.

Drejtuesit e TikTok mohojnë që aplikacioni të ketë funksion spiunimi, madje thonë se të dhënat e përdoruesve nuk përpunohen në Kinë, por në vendet europiane, ku ato kanë tashmë selitë e tyre.