Fillon dhënia e asistencës sociale me 25% rritje

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka njoftuar se nga sot ka filluar shpërndarja e asistencës sociale me 25 për qind rritje.

Më këtë rast, ai ka vizituar  familjen e Brahim Bajokut, një nga familjet përfituese të asistencës sociale, duke marrë shkas nga fakti se sot ka filluar shpërndarja e asistencës sociale me 25 % rritje, për 25 mijë familje përfituese nga kjo skemë.

Duke iu referuar përmbushjes së premtimit për rritjen e asistencës sociale, Abrashi tha se ky vendim tashmë ka filluar të implementohet, duke bërë të ditur se përfitues të kësaj skeme janë 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë.
Ministri Abrashi theksoi, po ashtu, se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e gjendjes sociale të njerëzve në nevojë, ndërsa nga muaji janar, siç bëri të ditur ai, do të bëhet rritja edhe për kategorinë e pensionistëve kontributdhënës.
“Këto vendime të Qeverisë së Kosovës synojnë përmirësimin e kushteve të jetës së këtyre kategorive të qytetarëve tanë,  të cilët do të kenë përkrahje të mëtejshme konkrete nga ana e Qeverisë”, tha Abrashi.
Gjatë vizitës na familjen Bajoku, ai ndau edhe dhurata modeste për fëmijët e kësaj familje.

Kryefamiljarët e familjes Bajoku falënderuan ministrin Abrashi për përkrahjen e ofruar dhe për rritjen e asistencës sociale prej 25%, e cila ka ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies sociale të kësaj familje.