Fiona Krasniqi, kosovarja që synon parlamentin Britanik

Vajza nga Kosova Fiona Krasniqi e cila si katër vjeçare ka arritur në Britaninë e Madhe, tani po synon nivelin e Deputetit në Parlamentin Britanik

Që nga mosha 16 vjeçare ka nisur karrierën e saj në botën e punës. Në Mbretërinë e Bashkuar kosovarja Fiona Krasniqi po shkëlqen në fushën e politikës dhe të legjislacionit. Në këtë shtet ku prindërit e saj emigruan nga Kosova dhe asaj iu dha mundësia të studioj e punojë, Krasniqi ka arritur të bëhet pjesë e  Odës Britanike të Tregtisë që në korrik të 2014-tës. Vajza nga Kosova, në Mbretërinë e Bashkuar do të fillojë karrierën e saj që nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe Shërbimi Arsimor, pastaj Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyrës Qeveritare të Barazisë, në Dhomën e Lordëve dhe Odën e Tregtisë Shqiptaro-Britanike ku roli i saj kryesor ka qenë ngritja e profilit të organizatës dhe identifikimi i anëtareve të Parlamentit që kanë mbajtur një interesim të qëndrueshëm mbi industritë dhe politikat zhvillimore në Shqipër.

E rritur në një familje ku është folur gjuha shqipe, janë rrënjosur traditat dhe është vizituar Kosova dy herë në vit, ajo nuk ka humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën. Rrjedhshëm me një shqipe të pastër, Fiona Krasniqi, në një rrëfim për “Zërin” tregon se është angazhuar si asistente për Marrëdhënie me Publikun në Odën Britanike të Tregtisë në korrik të 2014-tës ku momentalisht është Zyrtare e Lartë për Marrëdhënie me Publikun. Roli i saj njëkohësisht përfshin politikat si dhe përfaqësimin. Ajo është përgjegjëse për përfaqësimin dhe ndihmesën në koordinimin e strategjisë kombëtarë të fushatave të Odës Britanike të Tregtisë me qëllim ndikimin e politikave qeveritare. “Njëkohësisht, këshilloj mbi politikat që mbulojnë infrastrukturën fizike dhe digjitale si dhe mbështetjen e femrave në ndërmarrësi”, thotë Krasniqi për gazetën. Sfidat me të cilat është përballur për të realizuar ëndërrën e saj që të kontribuoj në politikat zhvillimore, kanë nisur qysh si studente.

“Si studente në fakultet, recesioni ekonomik i asokohe paraqiti një siklet të frikshëm në rrugën time të karrierës, veçanërisht mbi vendimin cilin sektor do të zgjidhja. Në 2012, një vit para diplomimit, papunësia tek të rinjtë ishte rreth 22 % – shkalla më e lartë në Mbretërinë e Bashkuar që nga fillimi i mbajtjes së këtyre statistikave në vitet e 80-ta. U mundova të përfitoja sa më shumë përvojë pune kurdo që mundja dhe isha e pandalshme në rrugëtimin drejt asaj që doja, pavarësisht sfidave në tregun e punës”. Ajo thotë se një ndër sfidat më të mëdha në fushën e marrëdhënieve me publikun është komunikimi i vazhdueshëm i njohurisë së specializuar. “Loboj në linjat tona kyçe që mbulojnë infrastrukturën, aftësitë, qasjen në financa, bankat, tregtinë ndërkombëtare, prokurimin dhe shumë linja të tjera. Për të qenë gjithnjë nën kontroll të këtyre fushave të politikave duhesh të jeshë gjithmonë vigjilente mbi aktivitetet që ndodhin përreth teje, prandaj menaxhimi i kohës dhe leximi i materialeve gjithëpërfshirëse është vendimtar”, flet Krasniqi për “Zërin”.

Krasniqi : Kosova të angazhohet për politika dhe mekanizma që paraprijnë një ekonomi të zhvilluar

Krasniqi gjatë punës së saj në Dhomën e Lordëve, kujton se kjo dhomë nuk është vetëm një ndërtesë mahnitëse, por ka dhe një  histori po aq mahnitëse dhe të thellë. “Ajo është dhoma e dytë e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe punon së bashku me Dhomën e Përfaqësuesve në ligjvënie, ndryshimin e veprimeve të Qeverisë dhe në sigurimin e një forumi të ekspertizës së pavarur. Në këtë mënyrë, anëtarët e Dhomës së Lordëve janë palë të interesuara vendimtare në rolin tim aktual dhe unë komunikoj shpesh me ta për të ndikuar rishikimet/konsultimet e tyre”. Ndërsa tani përvoja e saj në Odën Britanike të Tregtisë e ka mësuar që sektori privat luan një rol tejet të rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik të një shteti.

“Do të sugjeroja dhe do dëshiroja të shihja sa më shumë politikanë, ndërmarrës dhe shoqëri civile në Kosovë të inkuadruar drejt programeve të dizajnuara drejt zhvillimit socio-ekonomik në përgjithësi dhe të sektorit privat dhe ndërmarrësisë në veçanti. Përfundimisht, është shumë e vështirë te flitet për zhvillimin e çfarëdolloj fushe tjetër shtetërore në mungesë të zhvillimit ekonomik”. Krasniqi thotë se nëse e gjithë shoqëria kosovare punon dhe angazhohet për të krijuar politika dhe mekanizma mbi të cilët do të zhvillohej një ekonomi e mirëfilltë, atëherë shumë sfida tjera socio-ekonomike do të tejkaloheshin shumë më lehtë e më fuqishëm. Fiona Krasniqi tregon se në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën e Lordëve, dhe Odës Shqiptaro-Britanike të Tregtisë dhe Industrisë, u organizua një takim zyrtar në mes të Kryeministrit Rama, disa anëtareve të Parlamentit, disa anëtareve të Dhomës së Lordëve dhe përfaqësues nga disa biznese të mëdha u mbajt në shkurt të vitit 2014. “Qëllimi i takimit ishte adresimi i evolucionit, karakteristikave dhe sfidave e të investuarit në Shqipëri” thotë ajo

 E ardhmja në skenën politike

Prej politikanëve ndërkombëtar ajo veçon Nelson Mandelan, ndërsa tek politikanët shqiptar thotë se nuk do të mund të veçonte  vetëm njërin nga ta. “Por do të vlerësoja të gjithë klasën politike mbarëshqiptare që ndihmuan kalimin e Ballkanit, dhe me të Evropës Lindore, nga një sistem socio-ekonomik komunist me shumë pak liri individuale tek një sistem të ndërtuar mbi parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe tregut të lirë”. Pas disa vjetësh Krasniqi e sheh veten në skenën politike ngaqë siç shprehet parapëlqen jashtë mase anën e përfaqësimit të rolit të saj aktual në punë dhe të jetë zëri i një kolektivi të caktuar. “Tani, mbetet të shihet nëse përfshirja ime në skenën politike do të jetë në nivelin e Deputetit në Parlamentin Britanik apo si ndonjë këshilltare politike specializante”.

Gjithë këtë sukses ajo ia kushton prindërve të saj. “Duke i parë ata unë kam mësuar devotshmërinë dhe këmbënguljen për të arritur sukses”, thotë ajo duke u ndjerë mirënjohëse për mundësinë që të emigroj në Mbretërinë e Bashkuar. ” Arritjet e mia nuk do të ishin aq domethënëse po mos ta dija që do të mund të ndaja suksesin tim me ta dhe të i shihja aq të lumtur për suksesin tim. Njëkohësisht, do të doja të përmendja edhe dy motrat e mia – Rina dhe Rea, dhe rolin e tyre të përbashkët në mbështetjen plot dashuri me të cilën unë jam e rrethuar. Arritjet e mia gjithnjë kanë qenë dhe do të jenë të tyre”. Krasniqi thotë se është shumë e rëndësishme të mos harrosh kush je dhe nga vjen. /zeri/