Fisnik Ismaili i kundërpërgjigjet Grabovcit nga ulësja e Skender Hysenit

Deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, i cili sot ka marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për të penguar punimet, ani pse ndaj tij është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, po vazhdon të qëndrojë në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Ai ka postuar një fotografi në Facebook ku shihet i ulur në ulësen e rezervuar për ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci në lidhje me deklarimin e tij për uzurpimin e sallës nga deputetët e opozitës, raporton Koha.net.

“Adem Gabovci nga byfeja naltë: ‘Salla e Kuvendit poshtë është e uzurpuar tash e disa muaj’. Valla po. Deri t’e hjekni Zajednicën”, ka shkruar Ismaili.

Grabovci, por edhe shefi i tij i partisë, Hashim Thaçi, akuzuan deputetët e opozitës se kanë uzurpuar dhunshëm objektin e Kuvendit të Kosovës dhe kanë propozuar përpilimin e një deklarate të përbashkët për të dënuar këto veprime.