Franca kërkon partnerë për luftë kundër ISIS-it

Francois Hollande në politikën e brendshme konsiderohej një president i dobët. Sulmet terroriste para dy javësh e kanë katapultuar atë në një rol të ri të padëshiruar.

Hollande duhet të prezantohet si një burrë i fortë shteti, që hidhet në luftë për francezët kundër ushtrisë terroriste të ISIS-it. Këtë ai ia premtoi vendit edhe në ceremoninë e përmortshme të viktimave të 13 nëntorit.

Hollande nuk ka zgjidhje tjetër, jo vetëm francezët e trembur e presin këtë, por edhe kundërshtarët politikë nga e djathta, Nicolas Sarkozy dhe Marine Le Pen janë gati t’i hipin mbi kurriz.

Brenda një jave ai ia ka dalë të krijojë një koalicion të atyre që në të vërtetë nuk duan të hyjnë në koalicion. Nëse ai do të jetë i qëndrueshëm, këtë mbetet të presim.

Por me vizitat e tij të shpejta në Uashington dhe Moskë si edhe një sërë bisedimesh në Paris, Hollande ka siguruar solidaritetin e botës dhe disa premtime për mbështetje ushtarake.

Britania e Madhe ka gjasa të marrë pjesë në sulmet ajrore në Siri. Italia ka premtuar më shumë ndihma. Kancelarja gjermane ka premtuar çdolloj ndihme, duke marrë kështu kthesën drejt një misioni ushtarak gjermane. Në rast nevoje Hollande mund të mbështetet tek miqësia gjermano-franceze.

Pajisur me një mandat të OKB-së që e mbështet me të gjitha hapat e “mundshme”, Franca mund të krijojë një aleancë nga nevoja në luftën kundër terroristëve të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Siri dhe Irak.

Pjesëtarët e këtij koalicioni që nuk është i shpallur zyrtarisht, ndjekin interesa të ndryshme në Siri e përtej saj, por kanë një qëllim të përbashkët.

Kërcënimi nga IS-i i prek të gjithë, përfshirë edhe Rusinë e Turqinë, kjo do të bëjë që ata të bashkohen në plan afatshkurtër për t’i dobësuar terroristët. /ZËRI/