FSK-ja forcon bashkëpunimin me forcat kroate

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli priti sot në takim një delegacion të ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura të Kroacisë. Me këtë rast u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Kroacisë si dhe Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe FSK-së.

Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe forcave të të dyja vendeve është jashtëzakonisht praktik, funksional, i sinqertë tha me këtë rast  ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli.

Ky i fundit, gjithashtu përmendi edhe marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, të cilat kanë mundësuar edhe raporte shumë të mira ndërmjet institucioneve tona.

Nga ana e tij, Komandanti i TRADOK-ut, në Ushtrinë Kroate, gjeneral brigade Blaz Beretin tha se ndjehen jashtëzakonisht mirë që për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe kuadrot e saj kanë pasur mundësi të ofrojnë specializime dhe shkollime si dhe praktika, sepse siç tha ai, populli i Kosovës e meriton dhe ne ju jemi mirënjohës për ndihmën dhe përkrahjen gjatë historisë së fundit të tyre.