Futbollisti i Gjilanit Betim Haxhimusa: I shpëtova vdekjes në Drenas (FOTO)

Betim Haxhimusa është sulmuar fizikisht nga disa persona që pretendon që janë të klubit të Feronikelit, ndërsa nga dhuna e ushtruar atij i është thyer dora, por ka lëndime edhe në këmbë dhe të gjithë trupin.

Haxhimusa ishte ndëshkuar me kartonë të kuq disa minuta pa përfunduar ndeshja, ndërsa me të mbërritur në zhveshtore ai është sulmuar.

“Ishin disa persona, që të gjithë me bexha të klubit të Feronikelit. Ata më sulmuan me grushte dhe çdo gjë tjetër. Ekonomi (mirëmbajtësi i fushës) më ka qëlluar disa herë më lopatë”.

“Duke tentuar ta ruaj kokën me duar, ai më ka thyer dorë. E kam shumë keq dorë dhe do të futem tani në operim. Aty unë i shpëtova vdekjes pasi po të më qëllonte në kokë atëherë jeta ime do të rrezikohej”, ka thënë Haxhimusa për Telegrafin.

“Kam lëndime në të gjithë trupin. Do t’i padis në gjykatë për këtë sulm. Lojtarët duhet të ruhen e jo të sulmohen në këtë mënyrë”, deklaroi Haxhimusa.

Ai ka shtuar se nuk e di pse është ndëshkuar me kartonë të kuq nga gjyqtari Besfort Kosumi dhe këtë gjë do të dëshironte ta dinte.

Edhe gjatë rrugës për në zhveshtore Haxhimusa është gjuajtur me mjete të forta.

Ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Gjilanit ka përfunduar 1-1. /arena/

Betim Haxhimusa