Gecaj i del në mbrojtje vëllait të Kryeministrit, sulmon mediat

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i ka dalë në mbrojtje pozitës së vëllait të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të cilin ditëve të fundit u raportua se kishte kërkuar azil në Gjermani.

Sipas Gecaj, ky ka qenë një “sulm i orkestruar i disa mediave” të cilat, sipas tij, “kanë shfrytëzuar një fatkeqësi familjare të Kryeministrit Mustafa”. Ai thotë se këto media e kanë servuar një gjysmë të vërtetë.

“Këto ditë jemi dëshmitarë të një sulmi të orkestruar të disa medieve, të cilat, duke e shfrytëzuar një fatkeqësi familjare të Kryeministrit Mustafa, konkretisht sëmundjes së rëndë të vëllait të tij, janë munduar me çdo kusht që duke servuar gjysmë të vërteta, duke ofruar gjysmë trillime, e mbi të gjitha duke shpërndarë keqinterpretime, ta paraqesin Kryeministrin si është më së keqi, në raport me vëllanë e tij, me familjarët e tij, me punën qeverisëse dhe me imazhin e Kosovës”, ka thënë Gecaj përmes një statusi në Facebook, raporton Koha.net.

Zëvendësministri Gecaj më tej thotë se këta njerëz, “të papërmbajtur në qëllimet e tyre për ta diskriminuar Kryeministrin, nuk kanë zgjedhur trillime e keqinterpretime, pavarësisht se krejt këto kanë dëmtuar edhe imazhin e Kosovës, gjë që ja kanë arritur trishtueshëm keq, dhe pavarësisht se krejt kjo ka kërkuar zhveshje nga çdo moral dhe etikë njerëzore, gjë për të cilën ata nuk kanë çarë kokën fare”.

“Ky orkestrim djallëzor ka bërë përpjekje që kjo tragjedi familjare të merr edhe dimensione ndërkombëtare me të vetmin qëllim që dëmi ndaj kryeministrit të jetë sa më i madh. S’ka si të interpretohet ndryshe lajmi me akuzë të pamoralshme në brendësi të tij, i cili trumbeton pandalshëm se “deri sa Kancelarja Merkel pret Kryeministrin e Kosovës, vëllai i Kryeministrit hyn ilegalisht dhe kërkon atje azil”. Të papërmbajturit në këto sulme, ngazëllehen me një interpretim të tillë; por çka që kështu i bëjnë dëm drejtpërsëdrejti Kosovës ndërkombëtarisht, dhe sidomos raportit të saj me Gjermaninë, raport ky i cili fal qeverisjes aktuale, mund të quhet special jo vetëm në sferën ekonomike”, potencon Gecaj.

Gecaj thotë se një tragjedi e tillë familjare, në të gjitha vendet, në të gjitha rrethanat, do të bënte që çdokush të ndjejë keqardhje njerëzore dhe të lutej për shëndet të atij me më pak fat, “por si duket jo tek ne”, sidomos “jo, nëse qëllon të jesh vëlla i kryeministrit”.

“Prandaj vëllai i Kryeministrit duke hetuar se po keqpërdoret fati i tij jo i mirë, duke parë se po përdoret sëmundja e tij me djallëzi, kundër Kryeministrit dhe punës së tij, kundër Kosovës dhe imazhit të saj, u ngrit për ta thënë një të vërtetë të thjeshtë, “jam shumë i sëmur më leni të qetë”. Por jo që nuk e lan të qetë por e trazuan mu atëherë kur i duhet inkurajimi, jo që nuk e ndihmuan por e sulmuan tinëzisht mu atëherë kur i duhet solidariteti njerëzor”, u shpreh Gecaj.

Në fund, ai thotë se e gjithë kjo nuk i sjell dobi as Kryeministrit Mustafa, as Kosovës e as imazhit të saj, as qytetarëve e as së ardhmes së tyre evropiane. /koha.net/