Gecaj: OSBE do të implementojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Qytetarë të Kosovës me nënshtetësi të Serbisë do të kenë mundësi të japin votën e tyre në zgjedhjet serbe përmes pikave të grumbullimit të votave, por jo vendvotimeve klasike.

Kështu deklaroi Bajram Gecaj, Zëvendës Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal duke u zotuar se institucionet e Serbisë apo Kosovës nuk do të përfshihen fare në planifikimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne jemi ende në diskutim me OSBE-në lidhur me këtë çështje sepse nëse zgjedhjet do të ndodhin, implementues do të jetë OSBE-ja, nuk do të kenë involvim fare nga institucionet e Republikës së Serbisë as institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Gecaj për KALLXO.com.

Gecaj tha se nuk kanë vendosur akoma se ku dhe sa lokacione të siç i quan ai, grumbullimit të votave, do të ketë gjatë zgjedhjeve por siguroi se votimi nuk do të bëhet nëpër vendvotime si nëpër zgjedhjet klasike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur vullnetin që t’iu mundësojë qytetarëve të Republikës më dyshtetësi që të përdorin të drejtën e tyre, pra të kenë mundësi të japin votën e tyre por jo në zgjedhjet e tipit klasik por në sistemin e qendrave mbledhëse në të cilat ata do të japin votat dhe pastaj ato vota do të barten në Serbi dhe është çështje e Republikës së Serbisë se çka do të bëjë me ato vota më tutje”, deklaroi Gecaj.

Për sa i përket rolit specifik të OSBE-së në organizimin e këtij votimi, Gecaj konstatoi se ata do të bëjnë bartjen e votave deri në kufi dhe prej aty bartet përgjegjësia te shteti i Serbisë.

“OSBE-ja do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë edhe shtetësi të Serbisë që të mund të hidhen fletëvotimin e tyre në kutitë e votimit pastaj aty nuk do të ketë operacione klasike të qendrave të votimit, ato kuti vetëm do të barten nga OSBE-ja deri në kufi, është çështje e Serbisë për më tutje”, tha Gecaj.

Për Zëvendës Ministrin Gecaj, ky proces i votimit është një proces normal që, siç tha ai, ndodh në shumë vende të botës që sipas tij quhet ‘votim në ambasada’.

Në ndërkohë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili ka qenë i përfshirë në lehtësimin e zgjedhjeve parlamentare serbe brenda Kosovës edhe në vitet 2012 dhe 2014, thotë se është në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje nga diskutimet me qeverinë e Kosovës.

“Nuk ende nuk i kemi aranzhimet përfundimtare. Shpresojmë t’i kemi sot apo nesër dhe do t’ju informojmë për këto aranzhime”, tha për KALLXO.com zëdhënësja e këtij misioni, Edita Buçaj.