Gjakova ndan 2 mijë euro për familjet në gjendje të rëndë ekonomike

Bordi i drejtorëve i Komunës së Gjakovës, i kryesuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, ka miratuar sot ndarjen e 2 mijë eurove për subvencionimin e familjeve me kushte të rënda ekonomike sociale dhe të banimit, të përzgjedhura nga Komisioni përkatës për programin e veçantë të banimit.

Sipas komunikatës, ky vendim, i cili është mbështetur në unanimitet, është arsyetuar me vullnetin dhe dëshirën për përmirësimin dhe zhvillimin e kushteve të jetesës së familjeve me pamundësi të pagesës së qirasë për banim.

“E krahas kësaj, Bordi i Drejtorëve i ka dhënë mbështetje edhe kërkesës për Subvencionimin e projektit “Përmirësimi i jetës se komunitetit RAE – mirëqenia familjare përmes kultivimit të perimeve në serra” i mbështetur nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Komuna e Gjakovës – Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim. Për këtë projekt Ambasada Gjermane do të investon 8 mijë euro për 5 familje që do të ngritin serat për prodhimin dhe kultivimin e kulturave bujqësore, dhe në këtë drejtim janë zgjedhur familje nga fshati Janosh, Bec, Cermjan, Rogovë dhe Skivjan. Komuna do të mbështet ketë projekt me afro 2 mijë euro, ndërsa implementimi i projektit do të bëhet përmes OJQ “ Prosperiteti”, organizatë kjo e përberë nga përfaqësuesit e komunitetit minoritar të Komunës së Gjakovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mbledhje, po ashtu, është diskutuar dhe miratuar kërkesa e Brigadës të UÇK-së “137- Gjakova”, për mbështetje në organizimin e shënimit të 7 majit, epopesë së kësaj brigade gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në kuadër të shënimit të kësaj date Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim që ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat fillore e të mesme të komunës ti kushtohet historikut të themelimit të Brigadës “137-Gjakova”, dhe betejave të saja për lirinë e Gjakovës dhe Kosovës. Bordi i Drejtorëve ka shqyrtuar e miratuar edhe disa kërkesa tjera të cilat kanë qenë të lidhura me interesin e përgjithshme të qytetarëve të komunës si dhe është raportuar nga ana e Drejtorive për aktpercjellsat që iu janë dorëzuar.” /KosovaPress/