Gjermania ndan 17 milionë euro grante për energji dhe për ujëra

Qeveria e Kosovës dhe Republika Federale e Gjermanisë arritën marrëveshje për bashkëpunim financiar në vlerë prej 17 milionë euro, subvencione këto për projekte të energjetikës, për menaxhimin e ujërave të zeza dhe riciklimin e mbeturinave.

Gjermania mbetet ndër partnerët më të rëndësishëm bilateral për përkrahje financiare dhe teknike me 500 milionë euro të ndara që nga viti 1999 për projekte të ndryshme në Kosovës.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se me këtë marrëveshje të nënshkruar sot rritet kontributi financiar dhe teknik i qeverisë gjermane për shtetin e Kosovës për mbështetje të sektorit të energjisë në fazën e tetë për përmirësimin e sistemit të ngrohjen komunale në Prishtinë me 5 milionë. Ai tha se projekti tjetër në vlerë prej 8 milionë euro për shkarkimin e ujërave të zeza në jug-perëndim në fazën e pestë për komunat Pejë, Gjakovë dhe Prizren, si dhe projekti tjetër për menaxhimin e mbeturinave në vlerë prej 4 milionë.

Ai tha se këto projekte paraqesin rëndësi të madhe për vendin dhe qytetarët e saj, duke ndihmuar zhvillimin e Kosovës në fushat e ndryshme, meqë sipas tij qeveria ka të pamundur të investoi drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Kosovën duke i ofruar perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre.

Ajo tha se me këto projekte Republika Federale Gjermane dëshiron që të përkrah perspektivat për qytetarët dhe me këto masa Kosova do të mund zbutë nevojat elementare të popullsisë së saj./KosovaPress/