Gjermania po angazhohet që Kosovës t’i hiqen vizat

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se të rinjtë e Mitrovicës janë më të izoluarit në Evropë, ndërsa premtoi angazhimin e Berlinit për liberalizimin e vizave për kosovarët. Ajo po ashtu tha se Ambasada në Prishtinë brenda një viti lëshon mbi 35 mijë viza.

Këto komente ambasadorja Viets i bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje me të rinjtë e komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali e të tjerë. Bashkë me Viets në takim ishte edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Viets ka thënë se Gjermania angazhohet që liberalizimi i vizave për kosovarët të bëhet sa më shpejt, por që këtë ajo nuk mund ta bëjë vetëm me një shtet, pasi që ekziston marrëveshja e Shëngenit dhe se ajo duhet respektuar, nga të gjitha shtetet nënshkruese të saj.

“Sidoqoftë, Gjermania lëshon në vit mbi 35.000 viza për qytetarët e Kosovës, ndër të cilat një numër i madh është i të rinjve që përfitojnë viza për shkollim, aftësim profesional. Po ashtu, Gjermania, duke pasur përvojën jo të mirë të ndarjes së Berlinit, angazhohet dhe do të bëjë përpjekje maksimale që Mitrovica sërish të bëhet një qytet unik”, ka thënë ajo.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me mundësitë e punësimit të të rinjve nga Mitrovica në Gjermani, ambasadorja Viets tha se është aprovuar një ligj që hyn në fuqi në fillim të vitit 2016, i cili ua mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, që nëse kanë ndonjë kontratë pune me ndonjë kompani gjermane, mund të marrin vizë pune dhe të hyjnë në Gjermani për të punuar.

Ambasadorja e Gjermanisë i ka përgëzuar të rinjtë e Mitrovicës nga radhët e komuniteteve të ndryshme që janë takuar dhe debatojnë e këmbejnë përvoja të ndryshme, duke i inkurajuar që këtë të bëjnë vazhdimisht, me qëllim të tejkalimit të problemeve dhe përmirësimit të raporteve ndëretnike.
Edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i ka falënderuar të rinjtë shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali e të tjerë, për vullnetin që po tregojnë për t’u takuar dhe bashkëpunuar, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet ardhmëria më e mirë për të gjithë.

“Unë bashkë me kryetarin e Komunës në veri, Goran Rakiq, kemi punuar shumë në uljen e tensioneve, zgjidhjen e problemeve me interes të përbashkët, ofrimin e komuniteteve dhe në këtë drejtim kemi pasur rezultate. Kemi krijuar pra një klimë për bashkëpunim më të mirë të qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike dhe të rinjtë po e shfrytëzojnë këtë, që është shumë mirë, sepse kështu mund të kemi zhvillim ekonomik dhe punësim për të gjithë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri. /Zëri